Manipulimi i votave nën llupë të hetuesisë: Prokuroria shtrin hetimet në disa komuna, së fundi edhe Podujeva
Zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës, sollën disa problematika, saktësisht vjedhje votash të kandidatëve për deputetë. Dyshimet për manipulime të tilla, kanë bërë që KQZ të vendos që të rinumërohen të gjitha votat në gjithë vendin, duke rezultuar në manipulime serioze e duke dërguar dhjetëra njerëz prapa grilave. Për shkak të dyshimeve të tilla, Prokurori…
Lajme
Zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës, sollën disa problematika, saktësisht vjedhje votash të kandidatëve për deputetë.
Dyshimet për manipulime të tilla, kanë bërë që KQZ të vendos që të rinumërohen të gjitha votat në gjithë vendin, duke rezultuar në manipulime serioze e duke dërguar dhjetëra njerëz prapa grilave.
Për shkak të dyshimeve të tilla, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që të mblidhen prova në të gjitha Komunat, ndërsa hetimet i pari i filloi kryeprokurori në Prokurorinë e Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Më 18 janar, Prokuroria në Prizren ka filluar hetimet në lidhje me manipulimet me vota, pasi është Komuna me më së shumti ndryshim të votave për deputetë.
Aksionin e ka vazhduar më datë 23 janar, ku ka arrestuar 109 komisionerë dhe janë ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht për Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit. Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, njëqind e nëntë (109) persona”, thuhej në komunikatë.
Luan Ibrahimi, zv.drejtor i Departamentit për Krime Ekonomike në nivel të Kosovës, tha gjatë konferencës se rasti i arrestimeve në Prizren mund të konsiderohet si një nga rastet me të mëdha sa i përket të arrestuarve.
“Ky ka qenë një nga operacionet më të mëdha që ka organizu Policia e Kosovës. Ne jemi përgatitur jemi mobilizuar dhe kemi arritur qëllimin që të arrestojmë personat që kanë keqpërdor me vota, të cilët kanë ndikuar, kanë kërcënuar, kanë marrë apo kanë dhënë ryshfet lidhur me votimin e fundit që ka ndodhë në Kosovë”- tha Ibrahimi.
“Ne kemi arritur që të arrestojmë, intervistojmë e të ndalojmë një numër jashtëzakonisht të madh që mund të konsiderohet një nga operacionet më të mëdha që Policia e Kosovës e ka realizuar ndonjëherë, pra janë 109 persona të arrestuar”- shtoi Ibrahimi.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, në konferencë për media ka thënë se kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori, si të dyshuar apo edhe të dëmtuar.
“Edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim që ne i kemi dëgjuar deklaratat e tyre mediale, shumë prej tyre ndihen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Prokuroria do t’ia ofrojë këtë mundësi, që të paktën t’i marrim në cilësinë e të dëmtuarve, t’ia japim mundësinë që t’i bashkëngjiten ndjekjes penale, të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar”- tha Kryeziu në konferencë për media më 23.01.2026.
Ndaj 23 kryesueseve në procesin zgjedhor të 28.12.2025 nga gjashtë parti politike është kërkuar masa e paraburgimit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Gjykata Themelore në Prizren ka konfirmuar se ka pranuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit për 23 persona, në rastin e falsifikimit të rezultateve të votimit në rajonin e Prizrenit.
Prej tyre 21 të komisionerë dyshohen për “falsifikim të rezultateve të votimit”. Sipas kërkesës së Prokurorisë, të pandehurit me autorizimet e marra nga Komisioni Zgjedhor i Kosovës, në cilësi të anëtarit të ekipit të numërimit në QKN, më saktësisht dyshohen si kryesues të komisionit.
Një komisionere ngarkohet me dy vepra penale, “falsifikimi i rezultateve të votimit” dhe “marrja e ryshfetit”.
Ndërsa një vëzhgues dyshohet për dy vepra penale, “kanosje” dhe “dhënie e ryshfetit”.
Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se dy seanca gjyqësore kanë përfunduar, edhe dy seanca të tjera janë në zhvillim e sipër dhe sot (24.01.2026) do të përfundojnë të katër seancat e caktuara.
“Gjykata brenda afateve ligjore do të përpilojë vendimet referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore Prizren”- përfundon njoftimi i Gjykatës së Prizrenit.
Kjo Gjykatë iu ka caktuar masën e paraburgimit 23 të arrestuarve me 25 janar të këtij viti.
“Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së. Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së. Ndaj një (1) të pandehuri G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së”, kanë thënë nga Gjykata Themelore në Prizren.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore në të gjitha Komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
“Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme. Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, ka njoftuar Kryeprokurori i Shtetit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.
Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.
Aktakuza e parë në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, është ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
“Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda. Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj më 22 janar.
Në të njëjtën datë, ata kanë njoftuar se po monitorojnë nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
“Në këtë drejtim, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin. Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis. Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbetet e angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhej në komunikatë.
Më 26 janar, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë se kanë vërejtur mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputetë pas përfundimit të procesit të rinumërimit në Komunën e Drenasit.
Ata kanë lëshuar autorizim Policisë së Kosovës, që të grumbullojnë informata dhe të bëjnë evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje.
“Po ashtu, prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi do të analizohen të gjitha rrethanat dhe shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve tjera për grumbullimin e informatave. Prokuroria Themelore në Prishtinë është e determinuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, e veçanërisht me rastet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë”, thuhet në komunikatë.
Aksioni për hetimin e atyre që kanë vjedhur vota, ka vazhduar në Malishevë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Aty janë intervistuar 58 persona, nga ta 15 kryesues dhe 43 komisionerë.
“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 (pesëmbëdhjetë) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente. Ndërkaq, pas grumbullimit të provave relevante, intervistimit të tyre, 43 (dyzet e tre) komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve”, ka njoftuar Prokuroria në Gjakovë.
Më 29 janar, Prokuroria në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve për vjedhje të votave, ku janë intervistuar 28 të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë.
“Pesë (5) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër (4) prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë. Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë më 30 janar se kanë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të rinumërimit të votave edhe në Obiliq.
“Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, kanë thënë nga Prokuroria në Prishtinë.
Hetimet dje kanë filluar edhe në Mitrovicë të Jugut dhe Veri. Aty janë intervistuar 43 kryesues të QKN-ve në Mitrovicë të jugut, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë që të grumbulloj dhe mbledh prova për dyshime për veprën penale kundër të Drejtave të Votimit në Podujevë.
“Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës. Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatë.
Nga manipulimet që janë bërë me vota, disa deputetë kanë humbur mijëra sosh, siç është Fetah Paçarizi i PDK-së me minus 6 mijë e 869 vota.
Nga rinumërimi i votave, vetëm Fikrim Damka ka humbur mandatin e tij.
Ndërkohë që hetimet po zgjerohen në disa komuna të vendit, autoritetet kanë paralajmëruar se askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia penale. Prokuroria ka konfirmuar se hetimet do të vazhdojnë edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, me synim mbrojtjen e integritetit të votës dhe ndëshkimin e çdo forme të manipulimit zgjedhor. /Lajmi.net/