Përmbytjet në Shqipëri, dëmet llogariten 300 milionë euro

Me rreth 12 mijë hektarë tokë të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi nga prodhimi me shumicë te çmimet e tregut varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë (300 milionë euro), sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve. Të dhënat e posaçme nga burimet brenda Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se përmbytjet e fundit në nivel kombëtar…

Lajme

25/01/2026 17:51

Me rreth 12 mijë hektarë tokë të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi nga prodhimi me shumicë te çmimet e tregut varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë (300 milionë euro), sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve.

Të dhënat e posaçme nga burimet brenda Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se përmbytjet e fundit në nivel kombëtar kanë dëmtuar rreth 3,598 hektarë drithëra, foragjere rreth 3,148 hektarë, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 hektarë perime dhe luleshtrydhe 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë. Mbi 1570 banesa janë dëmtuar dhe infrastruktura e transportit ka pësuar shumë dëme. Si po rritet fatura nga mungesa e përgjegjësisë institucionale për të frenuar kostot nga ndryshimi i motit

Dy hektarë serra të shkatërruara. Rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro mall që nuk do të dalë kurrë në treg është fatura e fermës me serra perimesh të Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës.

Përmbytjet e ditëve të fundit i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, për rikuperimin e të cilave duhen vite punë, pasi uji dhe llumi kanë prishur edhe cilësinë tokës dhe ndikojnë negativisht për mbjelljet e ardhshme.

Zhgënjimi i tij shkon përtej dëmit material. Pas 15 vitesh emigracion në Itali, ai u kthye në Shqipëri rreth 12 vite më parë, me bindjen se përvoja dhe kursimet do të mjaftonin për të ndërtuar një fermë funksionale. Sot, kthimin e quan “gabimin e jetës”, jo sepse bujqësia nuk funksionon, por sepse rreziku mbetet i pambuluar dhe përgjegjësia shpesh mbetet pa adresë.

Shqetësimi i Mirlindit nuk është vetëm me motin ekstrem, por edhe me funksionimin e shtetit. “Askush nuk njofton? As për reshjet e pritshme, as për hapjen e portave të HEC-eve”. Mirlindi thotë se nuk pati asnjë paralajmërim për hapjen e portave të digës.