Çfarë ndodh me fletëvotimet pas zgjedhjeve?

Pas përfundimit të çdo procesi zgjedhor, një pyetje e natyrshme që lind është: çfarë ndodh me fletëvotimet e shtypura për zgjedhje? Me miliona fletëvotime dhe materiale tjera zgjedhore nuk mund të ruhen, por ato duhet të shkatërrohen. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar se këto materiale s’mund të përdoren si të…

Lajme

24/01/2026 08:36

Pas përfundimit të çdo procesi zgjedhor, një pyetje e natyrshme që lind është: çfarë ndodh me fletëvotimet e shtypura për zgjedhje?

Me miliona fletëvotime dhe materiale tjera zgjedhore nuk mund të ruhen, por ato duhet të shkatërrohen.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar se këto materiale s’mund të përdoren si të tilla për qëllime të tjera, andaj, shkatërrimi i tyre është një detyrim ligjor.

“Shkatërrimi i materialit zgjedhor përbën një detyrim ligjor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zakonisht, në këtë proces përfshihen fletëvotimet, formularët e rezultateve, listat e votuesve si dhe materiale të tjera, përfshirë ato me karakter administrativ. Këto materiale janë përdorur jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe në fazat e ndryshme të procesit zgjedhor”, theksoi Elezi.

Ndërkohë, çdo material zgjedhor që është pjesë e hetimeve apo procedurave gjyqësore nuk i nënshtrohet procesit të asgjësimit.

Elezi shpjegoi se si zakonisht nga ky proces do të përjashtohen materialet e vendvotimeve që janë objekt i hetimit nga institucionet shtetërore dhe disa materiale që do t’i shërbejnë KQZ-së për qëllime të trajnimit të stafit të zgjedhjeve të ardhshme.

“Materiali zgjedhor i cili është objekt i shqyrtimit apo hetimit nga institucionet e drejtësisë, nuk do të shkatërrohet, por do të ruhet deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore. Gjithashtu, edhe një pjesë tjetër e materialit zgjedhor do të ruhet nga KQZ dhe kjo bëhet për qëllime të trajnimit të stafit, i cili do të angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore”, tha Elezi.

Sipas Elezit, shkatërrimi dhe ruajtja e materialit zgjedhor që është pjesë e hetimeve, përveç si detyrim ligjor, është një praktikë ndërkombëtare.