Barnat e kafshëve që Sllamniku iu shkruante fëmijëve për “shërimin” e autizmit – Hapat që u ndërmorrën pas hulumtimit nga lajmi.net

Çrregullimi i spektrit autik te fëmijet, është një nga sfidat me të cilën po përballen fëmijë të shumtë në Kosovë dhe jashtë saj. Ndonëse po prek shumë fëmijë, shkenca dhe mjekësia ende nuk ka zbuluar një ilaq që do të trajtonte këtë çrregullim, shkruan lajmi.net. Por, këtë ilaq po supozon që e ka gjetur konspiracionisti…

Lajme

20/01/2026 22:30

Çrregullimi i spektrit autik te fëmijet, është një nga sfidat me të cilën po përballen fëmijë të shumtë në Kosovë dhe jashtë saj.

Ndonëse po prek shumë fëmijë, shkenca dhe mjekësia ende nuk ka zbuluar një ilaq që do të trajtonte këtë çrregullim, shkruan lajmi.net.

Por, këtë ilaq po supozon që e ka gjetur konspiracionisti kosovar, Arianit Sllamniku.

Të dielën pasdite, lajmi.net ka publikuar një hulumtim në lidhje me këtë teori të Sllamnikut, e ku prindër të cilët kanë biseduar me Sllamnikun për mënyrën e tij të “sherimit” të autizmit, kanë thënë se ai po iu jep fëmijëve barna për kafshë.

Përveç dëmeve që këto barna mund t’iu shkaktojnë fëmijëve, ato po janë edhe shumë të shtrënjta. Një grua, prind i një fëmije autik, ka thënë se Sllamniku po iu përshkruan terapi që kushtojnë 1500 për tre deri në katër muaj.

Ndonëse këto barna rrezikojnë seriozisht shëndetin, Sllamniku të dielën për lajmi.net ishte shprehur i bindur se arrin ta shëroj autizmin.

“Parazitët dhe metalet e rënda, janë shkaktarët kryesorë që e bllokojnë fëmijën, parazitët kryesisht në zorrë e pastaj edhe në pjesë të tjera të trupit”, ka thënë Sllamniku.

I pyetur nga gazetari se si e sheron autizmin kur autizmi nuk sherohet sipas shkencës, Sllamniku është shprehur shumë i sigurtë se ai arrin ta sheroj atë.

“Ju e dini, unë nuk e di ashtu. Mjekësia na ka thënë edhe vaksinonu me vaksinat Covid. Për terapi, janë një pjesë e mineraleve, janë një pjesë përshembull e mineraleve të dheut vullkanik, si vaj ricini dhe suplemente tjera e bëjnë organizmin e fëmijës me i largu të gjitha toksinat, parazitët”, ka thënë Sllamniku.

Se autizmi nuk sherohet, ka thënë për lajmi.net edhe psikologu klinik Visar Salihu.

“Autizmi nuk sherohet sepse nuk është sëmundje”, ka thënë Salihu.

Çfarë solli ky hulumtim? 

Një ditë pas publikimit të hulumtimit nga lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Nga kjo Ministri, kanë thënë se kanë ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale, se një individ ka ofruar ilaçe si trajtim për autizëm.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore. Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, ka thënë mbrëmë Ministria e Shëndetësisë.

Përveç MSh-së, menjëherë ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, të cilët janë shprehur të shqetësuar thellë lidhur me rastin.

Sipas KOMF-it, përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është e rrezikshme, sepse devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, si mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara dhe shërbime të bazuara në evidencë. Organizata gjithashtu thekson se promovimi i premtimeve mashtruese rrit pritshmëritë joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, duke nxitur keqkuptime mbi nevojat reale të fëmijëve me autizëm.

KOMF kërkon informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në kapacitete që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Sipas tyre, çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.

Sot, më datë 20 janar kanë ardhur veprime edhe nga institucionet e rendit.

Menjëherë në mëngjes, Policia e Kosovës e ka intervistuar Arianit Sllamnikun.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Ismet Hashani kishte thënë se rasti po trajtohet nga ana e Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilin keni pyetur, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet tjera përkatëse. Për vazhdimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”.

Pas intervistimit, Prokuroria Themelore në Gjlan ka thënë për lajmi.net se kanë autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet hetimore.

“Ju  njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar dje.Prokuroria Themelore në Gjilan, do të iu mbajë të informuar për veprimet e mëtutjeshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj”, kanë thënë nga Prokuroria në Gjilan.

Menjëherë pas kësaj, Policia në Gjilan i kishte ftuar qytetarët që kanë pranuar shërbime apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga Arianit Sllamniku, që të paraqiten në Polici për intervistim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan po ashtu njoftoi se është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘’Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’ nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘’Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave’’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.

Policia e Kosovës, pas hetimeve që janë bërë sot, e ka arrestuar Arianit Sllamnikun.

Ata përveç arrestimit, edhe kanë kryer kontrolle në pronat e tij ku kanë gjetur katër armë zjarri, municion e medikamente të ndryshme, transmeton lajmi.net.

“Pas publikimit në mediat elektronike për veprimtari të dyshuar mjekësore, Policia e Kosovës konkretisht Sektori Rajonal i hetimeve DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë tjera relevante, bazuar në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, më datë 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit A.S., (1978) M/K nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK. Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike”, ka njoftuar Policia.

Ata gjithashtu kanë njoftuar se Sllamniku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Përveç arrestimit të Sllamnikut, sot ka vepruar edhe Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik, i cili ka kryer kontrolle në zyrën e Arianit Sllamnikut, e cila funksiononte si një lloj “ordinance” për trajtimin e fëmijëve me spektër të autizmit, dhe e njëjta është mbyllur. Lajmi.net ka siguruar pamje nga zyra e cila tashmë është e mbyllur.

Sa vjet burg mund të dënohet Arianit Sllamniku?

Sllamniku është arrestuar në bazë të nenit 256 dhe 257.

Çka thonë këto nene, mbi të cilat po ndiqet procedurë penale ndaj Sllamnikut? 

Neni 256 Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

1. Kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose me dëmtim të rëndë të shëndetit të personit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Neni 257 Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave

1. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet. 2. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen testime klinike të barërave, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 2 / 14 JANAR 2019, PRISHTINË.

Arrestimi i Arianit Sllamnikut dhe fillimi i hetimeve nga ana e institucioneve është sukses i arritur nga hulumtimi i lajmi.net, i cili ka sjell në dritë një gjë kaq të rrezikshme si ofrimi i barnave nga persona jo adekuat siç është Arianit Sllamniku. /Lajmi.net/ 

Video e plotë e hulumtimit: