​Sot dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale për ish-krerët e UÇK-së

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dosjet përkatëse do t’i paraqiten trupit gjykues nga prokuroria, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në…

Lajme

19/01/2026 08:47

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dosjet përkatëse do t’i paraqiten trupit gjykues nga prokuroria, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në nëntor të vitit 2020, u arrestuan pas konfirmimit të aktakuzës dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i ka dorëzuar Mbrojtjes mijëra faqe prova. Mbrojtja ka zhvilluar hetimet e veta dhe ka ngritur kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Ndërkohë, viktimat kanë aplikuar për të marrë pjesë në proces, ku aktualisht marrin pjesë 155 viktima.

Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë. Ndërsa, nga shtatori deri në nëntor 2025, ekipet e Mbrojtjes kanë thirrur shtatë dëshmitarë. Secila palë ka pasur mundësinë të bëjë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e dëshmitarëve të palës tjetër.

Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që e arsyetojnë atë. Deri më tani, në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë vlerësuar se Thaçi dhe bashkëakuzuarit e tjerë paraqesin rrezik për kryerjen e veprave të tjera penale, konkretisht ndaj personave që kanë dhënë ose pritej të japin dëshmi para Dhomave të Specializuara.

Gjykatësit kanë theksuar gjithashtu se paraburgimi synon parandalimin e rrezikut të hakmarrjes ndaj dëshmitarëve apo përpjekjeve për t’i nxitur ata të tërheqin dëshmitë e tyre. Vlerësimi i nevojës për vazhdimin e paraburgimit bëhet çdo dy muaj.

Sa i përket parimit të procesit publik, nga 134 dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, 61 kanë dëshmuar pa asnjë masë mbrojtëse. Kjo, pavarësisht kritikave të shumta lidhur me nivelin e transparencës së procesit.