U mbajt Kuvendi i rregullt i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) u mbajt sot Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës (SHTFK). Në këtë kuvend morën pjesë 24 nga gjithsej 26 delegatë, të cilët në mënyrë unanime miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë raportin e punës dhe raportin…

Sport

10/01/2026 13:04

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) u mbajt sot Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës (SHTFK).

Në këtë kuvend morën pjesë 24 nga gjithsej 26 delegatë, të cilët në mënyrë unanime miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë raportin e punës dhe raportin financiar për periudhën 2025.

Punimet e kuvendit u përshëndetën nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili u dëshiroi delegatëve një kuvend të mbarë dhe produktiv, duke theksuar rëndësinë e vendimeve që merren në takime të tilla për përmirësimin e punës së trajnerëve dhe zhvillimin e përgjithshëm të futbollit në Kosovë.

Kryetari i SHTFK-së, Muharrem Sahiti, i cili edhe udhëhoqi punimet e kuvendit, falënderoi delegatët për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë vitit, duke vlerësuar punën e bërë si thelbësore për zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar. Ai theksoi rolin kyç të trajnerëve në këtë proces.

Gjatë kuvendit, delegatët vlerësuan lart procesin e dhënies së lejes së punës, të krijuar dhe iniciuar nga SHTFK-ja, si kusht për udhëheqjen e ndeshjeve në të gjitha garat e FFK-së dhe Ligave Rajonale të Futbollit (LRF).

Delegatët nga të gjitha regjionet e Kosovës shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar punën profesionale, me fokus në zhvillimin e talenteve të reja dhe ngritjen e cilësisë dhe standardeve të trajnerëve në futbollin e Kosovës.