Begaj ua uron Vitin e Ri shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë dhe arbreshëve: Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar ndërrimin e motmoteve të gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh përmes një video-mesazhi se në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare. “Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të…

Lajme

31/12/2025 14:17

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar ndërrimin e motmoteve të gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh përmes një video-mesazhi se në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare.

“Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë”.

“Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë”, tha Begaj.

Në mesazh, Begaj thotë më tej se shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm.

“Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët”.

“Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!

“Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!”, tha ai.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!”, theksoi Begaj në urim.