OVL-UÇK njofton se Specialja ka refuzuar kërkesën e Salih Mustafës që ta vizitojë babanë e sëmurë rëndë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të refuzuar kërkesën e Salih Mustafës për një vizitë humanitare. Mustafa kishte kërkuar të vizitonte babanë e tij, i cili raportohet se ndodhet në gjendje kritike shëndetësore, transmeton lajmi.net. Përmes…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të refuzuar kërkesën e Salih Mustafës për një vizitë humanitare.
Mustafa kishte kërkuar të vizitonte babanë e tij, i cili raportohet se ndodhet në gjendje kritike shëndetësore, transmeton lajmi.net.
Përmes një reagimi zyrtar, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë vendim si të pakuptimtë dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.
Sipas organizatës, duke qenë se Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në procese gjyqësore që do të arsyetonte këtë ndalesë.
Postimi i plotë:
REAGIM
OVL UÇK shpreh shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili ndodhet në gjendje kritike shëndetësore.
Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor. Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut.
Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda.
Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi./lajmi.net/