A konsiderohet çdo mosdeklarim ose deklarim i rremë i pasurisë vepër penale
Shkruan: Fejzullah Hasani Një vendim i Gjykatës Supreme i vitit 2024, me të cilin ishte miratuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e një zyrtari të dënuar për mosdeklarim të pasurisë — për një pasuri që vitet e mëparshme e kishte deklaruar, por vitin e fundit (2022) kishte harruar ta deklaronte me rastin e plotësimit të…
Opinion
Shkruan: Fejzullah Hasani
Një vendim i Gjykatës Supreme i vitit 2024, me të cilin ishte miratuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e një zyrtari të dënuar për mosdeklarim të pasurisë — për një pasuri që vitet e mëparshme e kishte deklaruar, por vitin e fundit (2022) kishte harruar ta deklaronte me rastin e plotësimit të formularit — ishte bërë shkas i debateve në opinion, të iniciuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Zyrtarët e këtij Agjencioni publikisht ishin deklaruar se “vendimi i Gjykatës Supreme është i paligjshëm”, ngase sipas tyre, çdo mosdeklarim i pasurisë, pavarësisht prejardhjes së saj, paraqet vepër penale, për faktin se neni 17 i Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë ishte shfuqizuar në vitin 2014.
Çfarë masa ndëshkimore parashihte Ligji i vitit 2011 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë?
Në kapitullin VI, neni 17 i këtij Ligji, për mosplotësim të detyrimeve nga ky Ligj, parashihen këto masa:
Kushdo që shkel detyrimet e përcaktuara me këtë Ligj, që nuk janë vepra penale, bën kundërvajtje dhe dënohet si më poshtë:
1.1. Me gjobë prej një mijë (1000) deri në dy mijë e pesëqind (2500) euro dënohet për kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mosdeklarim të rregullt vjetor të pasurisë;
1.2. Me gjobë prej një mijë (1000) deri në dy mijë e pesëqind (2500) euro dënohet për kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mosdeklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës;
1.3. Me gjobë prej një mijë e pesëqind (1500) deri në dy mijë e pesëqind (2500) euro dënohen për kundërvajtje zyrtarët e lartë publik për mosdeklarim të pasurisë sipas kërkesës së Agjencisë;
1.4. Me gjobë prej një mijë (1000) deri në dy mijë e pesëqind (2500) euro dënohen për kundërvajtje zyrtarët e lartë publik për mosdeklarim të pasurisë pas largimit nga funksioni;
1.5. Me gjobë prej një mijë (1000) deri në dy mijë e pesëqind (2500) euro dënohet për kundërvajtje subjekti që, sipas kërkesës së Agjencisë, nuk vepron në pajtim me paragrafin 3 të nenit 15 të këtij Ligji.[1]
Në nenin 17, paragrafi 5, shprehet se: nëse shkelja e detyrimeve të përcaktuara nga ky Ligj përbën vepër penale, Agjencia ushtron kallëzim penal.
Në nenin 18, paragrafi 1, thuhet se: nëse ka dyshim të bazuar për kundërvajtje, Agjencia ushtron kërkesë për kundërvajtje.
Me Ligjin nr. 04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, neni 17 është riformuluar kësisoj:
Neni 11
Neni 17 i Ligjit bazik riformulohet me tekstin si në vijim:Agjencia paraqet kallëzim penal në Prokurorinë kompetente ndaj zyrtarit të lartë publik i cili shkel detyrimet e parapara me këtë Ligj, e që përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.[2]
Dy vite më vonë, përkatësisht në janar të vitit 2013, ka filluar të zbatohet Kodi i ri Penal i Kosovës, i miratuar në dhjetor të vitit 2012, i cili për herë të parë e parasheh si vepër penale mosdeklarimin ose deklarimin e parregullt të pasurisë.
Struktura e normës penale – neni 437 i KPK-së të vitit 2012
Kjo normë përmban dy forma të veprimit dhe një paragraf për konfiskim. Norma në aspektin strukturor është si vijon:
- Çdo person i cili, sipas ligjit, është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe nuk e bën këtë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni konsiderohet e kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit të përcaktuar për paraqitjen e saj.
- Çdo person i cili, sipas ligjit, është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
- Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, e të ardhurave, e dhuratave ose e dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë joligjore, konfiskohet.[3]
Kodi Penal i vitit 2019 këtë vepër penale e ka paraparë në nenin 430, i cili dallon nga Kodi Penal i vitit 2012 vetëm sa i përket paragrafit 3. Ndërsa paragrafi 3 i KPK-së të vitit 2012 shprehet: “Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë joligjore, konfiskohet”, paragrafi 3 i nenit 430 të KPK-së të vitit 2019 shprehet: “Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore konfiskohet”.[4]
Dy kodet penale (2012–2018) parashohin që detyrimisht pasuria e padeklaruar apo e deklaruar rrejshëm, e cila nuk ka asnjë mbulesë ligjore për mënyrën se si është përfituar, të konfiskohet. Do të thotë se prokurorit i mjafton ta argumentojë se zyrtari publik nuk ka asnjë dëshmi që këtë pasuri e ka përfituar në mënyrë të ligjshme, çka i jep të drejtë gjykatës që këtë pasuri ta konfiskojë, pa pasur nevojë të argumentohet fare se me cilën lloj vepre penale është përfituar (korrupsion, trafikime të ndryshme, tregti e palejuar, etj.).
Analiza e nenit 17 të Ligjit për deklarimin( i cili nen është ndryshuar riformuluar me Ligji Nr. 04/L -228 20 mars 201 ), prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i vitit 2011.
Ligji i vitit 2011, në mënyrë eksplicite në nenin 17 paragrafi 1, për mosdeklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë së zyrtarit publik, nëse kjo nuk përbënte vepër penale, parashihte kundërvajtje dhe dënime për kundërvajtje që shqiptoheshin nga gjykatat e atëhershme për kundërvajtje.
Meqenëse në kohën kur është aplikuar ky Ligj (2011), në Kodin Penal të Kosovës nuk ka pasur vepër penale të veçantë për mosdeklarim të pasurisë, ligjvënësi, kur ka përdorur shprehjen “nëse nuk përbën vepër penale”, ka pasur parasysh pasurinë e padeklaruar, por të fituar në mënyrë të paligjshme, përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ryshfetit apo formave të tjera kriminale.
Ndërsa për pasurinë e padeklaruar ose të deklaruar në mënyrë të parregullt, por të fituar në mënyrë të ligjshme, ka paraparë vetëm kundërvajtje. Deri në vitin 2013, kur ka filluar të zbatohet Kodi i ri Penal, i cili në nenin 327 ka paraparë si vepër të veçantë mosdeklarimin apo deklarimin e parregullt, nuk ka pasur asnjë kallëzim penal, por vetëm kallëzime për kundërvajtje.
A ka efekte Ligji nr. 04/l-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ku neni 17 i Ligjit të vitit 2011 është hequr dhe riformuluar, të cilin ndryshim zyrtarët nga Agjencioni Antikorrupsion po e marrin si argument, për ta goditur dhe kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme.
Me këto ndryshime është hequr neni 17 i Ligjit të vitit 2011, i cili për mosdeklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë së përfituar në mënyrë të ligjshme parashihte kundërvajtje, duke u bazuar në mendimin se me hyrjen në fuqi të KPK-së së vitit 2012 çdo mosdeklarim apo deklarim i parregullt, pavarësisht mënyrës së fitimit të pasurisë, sipas nenit 427 të KPK-së, paraqet vepër penale dhe se nuk ka më arsye që për veprime të tilla të parashihet edhe kundërvajtje. Kjo qasje e ligjdhënësit ka qenë e gabuar, ngase ka dekriminalizuar një veprim të paligjshëm dhe ka hequr bazën ligjore për shqiptimin e dënimit për kundërvajtje ndaj zyrtarit që nuk e deklaron apo e deklaron në mënyrë të parregullt pasurinë, të cilën megjithatë e ka të fituar në mënyrë të ligjshme.
Ndryshimi –riformulimi e nenit 17 të Ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë , nuk ka asnjë efekt në nenin 427 të KPK-së së vitit 2012, as në raport me nenin 430 të KPK-së së vitit 2019 ( ka ndryshuar ligji por nuk ka ndryshuar Kodi penal )për arsyet si vijojnë:
E para, nëse i referohemi nenit 427 të KPK-së së vitit 2012, ky nen ka sanksionuar si pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme, ashtu edhe atë të përfituar në mënyrë të paligjshme, ngase përdor shprehjen: “Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë joligjore, konfiskohet”. Mirëpo, kjo vlen vetëm kur vepra penale e mosdeklarimit apo deklarimit të parregullt të pasurisë është kryer me dashje, por jo edhe me pakujdesi, ngase sipas nenit 17 paragrafi 2 të KPK-së, kryesi përgjigjet për veprën penale të kryer me pakujdesi vetëm nëse këtë shprehimisht e përcakton ligji. Ndërkaq, neni 427 nuk përmban asnjë dispozitë që e sanksionon pakujdesinë. Pra, kur zyrtari publik nga neglizhenca, pakujdesia, nonsalanca apo gabimi nuk e deklaron ose e deklaron gabimisht pasurinë që ligjërisht e ka të fituar, ai nuk mund të procedohet penalisht sipas nenit 427, për faktin se ligji sanksionon vetëm dashjen. Kur zyrtari nuk e deklaron ose e deklaron gabimisht pasurinë e fituar në mënyrë të ligjshme, bëhet fjalë për pakujdesi (formë e fajit), ngase ai nuk ka asnjë arsye të mos e deklarojë pasurinë e fituar ligjërisht, duke qenë i vetëdijshëm (koshient) se do t’i nënshtrohet procedurave që i shkaktojnë dëm të parikuperueshëm.
E dyta, Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, i vitit 2011, me të drejtë ka përdorë shprehjen: “Kushdo që shkel detyrimet e përcaktuara me këtë Ligj, dhe që nuk janë vepra penale, bën kundërvajtje dhe dënohet për kundërvajtje.” Kjo do të thotë se Ligji përdorte shprehjen “ nëse nuk përbëjnë vepër penale”, dhe lind pyetja: kur nuk përbëjnë vepër penale? Kur pasuria është fituar ligjërisht – kurë nuk ka asnjë dyshim për prejardhjen e saj.
E treta, mosdeklarimi i pasurisë sipas nenit 17, paragrafi 1, të Ligjit të cituar më sipër, i cili ishte në fuqi deri në vitin 2014, msdeklarimin apo deklarimin e pa rregullt të pasurisë të përfituar në mënyrë të ligjshme e sanksiononte si kundërvajtje, pasi përdorte shprehjen : “nëse nuk është vepër penale, është kundërvajtje.” Nga ky formulim del qartë se veprimi përbën kundërvajtje vetëm kur pasuria nuk ka asnjë problem ligjor; nëse pasuria kishte probleme lidhur me prejardhjen, do të përbënte vepër penale.
E katërta, për çdo jurist që di ta lexojë normën juridikisht, është e pamundur që për të njëjtat veprime të parashihen njëkohësisht kundërvajtje dhe vepër penale, në mënyrë që zbatuesi i ligjit të ketë diskrecion për të zgjedhur cilën të aplikojë
Megjithatë, Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë viteve 2013 dhe 2014 ( kur është riformuluar neni 17 ), për çdo mosdeklarim apo deklarim të parregullt ka parashtruar vetëm kallëzime penale.
Kodi Penal i vitit 2019, për dallim nga ai i vitit 2012, në nenin 430 ka sanksionuar si vepër penale vetëm rastet kur pasuria e padeklaruar ose e deklaruar në mënyrë të parregullt është përfituar në mënyrë të paligjshme, për arsye si vijon:
Shprehja eksplicite në paragrafin 3 të nenit 430 të KPK-së se “vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë konfiskohet”, për dallim nga KPK-ja e vitit 2012, ku konfiskohej pasuria “e përfituar në mënyrë joligjore”, shpie në përfundimin e padiskutueshëm se ratio legis – qëllimi i ligjvënësit ka qenë që të sanksionojë si vepër penale vetëm pasurinë e padeklaruar ose të deklaruar rrejshëm e cila është fituar në mënyrë të paligjshme. Kjo, ngase paragrafi 3 nuk i lë gjykatës diskrecion lidhur me konfiskimin, për faktin se nuk përdor shprehjen “mund t’i konfiskohet”, por “i konfiskohet”. Ky paragraf (3) derivon ( bazën e ka )në nenin 92 paragrafi 1 i KPK-së, i cili shprehet: “Konfiskohet pasuria e përfituar me vepër penale”. Nuk mund të konfiskohet pasuria e padeklaruar, por që është legjitime në çdo aspekt.[5]
Nga 1 janari 2013, kur ka filluar të aplikohet KPK-së i vitit 2012, në asnjë rast të vetëm nuk ka vendim gjyqësor ku ndonjë zyrtari, i proceduar penalisht për mosdeklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë, t’i jetë konfiskuar pasuria e padeklaruar apo e deklaruar në mënyrë jo të rregullt . Pyetja e thjeshtë që parashtrohet është: pse nuk është konfiskuar? Kur ligji nuk i lë gjykatës hapësirë manovrimi, pos ta konfiskojë, përgjigja është e thjeshtë: ngase në të gjitha këto raste pasuria e padeklaruar apo gabimisht e deklaruar ka qenë e ligjshme, por zyrtari, nga pakujdesia, qoftë nga harresa, ka kaluar afatin apo, me rastin e plotësimit të formularit, ka bërë ndonjë lëshim të paqëllimshëm. Kjo tregon se të gjithë këta zyrtarë janë sfiduar pa të drejtë në procedura dhe janë dënuar (është plotësisht irelevante se me çfarë dënimi janë dënuar )për pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme, ngase u sqarua më sipër se as neni 437 i KPK-së të vitit 2012, as neni 430 i KPK-së të vitit 2018, nuk e sanksionojnë fare pakujdesinë.
Secili jurist me njohuri dhe ekspertizë minimale në drejtësi e ka të lehtë ta lexojë dhe interpretojë drejt normën ligjore që e konsideron si vepër penale deklarimin e pasurisë, ngase dy nenet e KPK-së (437 – 2012 dhe 430 – 2018) përdorin shprehjen “mosraportimi apo raportimi i rremë”. Nuk konsiderohet raportim i rremë kur zyrtari në formular ka bërë gabime apo nuk e ka përfshirë fare një pasuri të cilën e ka të ligjshme, kjo konsiderohet deklarim jo i plotë, i gabuar i harruar etj . I rremë është vetëm ai deklarim kur zyrtari me koshiencë – me dashje – dëshiron ta shmangë (dëshiron ta kamuflojë) deklarimin e pasurisë e përfituar në mënyrë të paligjshme (ligjërisht të pambuluar).
Qasja e tillë e ligj-zbatuesve nga viti 2013 deri në vitin 2024, kur Gjykata Supreme me një aktgjykim sqaroi se çka konsiderohet vepër penale sipas nenit 430 të KPK-së, dhe ku të gjithë zyrtarët e lartë, të cilët nga neglizhenca apo gabimet nuk e kanë deklaruar pasurinë sikundër obligon ligji – pasuri të cilën e kanë pasur të ligjshme në çdo dimension – janë proceduar dhe dënuar për vepër penale, ka minuar parimin fondamental në të drejtën penale “Nullum crimen, nulla poena sine lege”, duke u shkaktuar dëm të parikuperueshëm zyrtarëve të tillë.
Si e ka rregulluar këtë çështje Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i vitit 2022 ?
Ajo që u sqarua më sipër – se askush nuk ka mundur të procedohet penalisht për mosdeklarim apo deklarim të parregullt të pasurisë, të cilën zyrtari ligjërisht e ka pasur dhe e ka përfituar – konfirmohet edhe nga mënyra se si e ka rregulluar këtë çështje Ligji i vitit 2022. Ky i fundit në nenin 28, paragrafi 4, shprehet:“Nëse subjekti deklarues, edhe pas shqiptimit të gjobës, por jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga dita kur është dashur ta përmbushë detyrimin sipas nënparagrafëve 1.1 deri 1.4 të këtij neni, nuk e përmbush detyrimin, atëherë Agjencia bën kallëzim penal tek prokuroria përkatëse.”
Sipas paragrafit 4 të nenit 28, rezulton se zyrtari publik procedohet penalisht vetëm nëse, pas kalimit të afatit prej 15 ditësh, ai nuk e deklaron apo nuk i eviton parregullsitë që janë evidentuar në formularin e paraqitur.
Mënyra si është rregulluar tani me ligj, tregon se neni 430 i KPK-së, praktikisht nuk do të zbatohet më, për faktin se secili zyrtar publik, pas marrjes së vërejtjes, do t’i përmbushë detyrimet ashtu siç e kërkon paragrafi 4, ngase asnjë zyrtar nuk është aq naiv sa të lejojë të procedohet penalisht, duke i ditur pasojat që sjell fillimi i procedurës penale ndaj tij, ndërsa këto vepra penale denoncohen vetëm nga Agjencia.
Nëse zyrtari publik brenda afatit shtesë e deklaron pasurinë ose nuk e deklaron, Agjencia me mekanizmat e veta zhvillon hetime administrative dhe, nëse vërteton se pasuria e deklaruar më pas ose pasuria që nuk është deklaruar fare edhe pas kalimit të afatit shtesë nuk është e mbuluar ligjërisht, atëherë çështja procedohet në prokurori.
Fakti se dikush i përmbush detyrimet e deklarimit sipas Ligjit, nuk e dekriminalizon veprën penale, nëse veprimi apo mosveprimi përmban tiparet qenësore të veprës penale nga neni 430 i KPK-së (deklarimi i pasurisë është detyrim ligjor administrativ). Prandaj, pavarësisht se çfarë parashikon paragrafi 4 i nenit 28 të këtij Ligji, Agjencia ka detyrim ligjor që, nëse nga hetimet e brendshme rezulton se pasuria nuk është e mbuluar ligjërisht, rastin ta procedojë në prokurori.
Nëse duam që si vepër penale të sanksionohet edhe mosdeklarimi apo deklarimi i parregullt i pasurisë së përfituar në mënyrë të ligjshme, atëherë duhet riformuluar neni 430 i KPK-së, duke i shtuar edhe një paragraf kur zyrtari nuk e deklaron pasurinë e ligjshme. Ngase, siç u sqarua më sipër, neni aktual 430 e sanksionon si vepër penale vetëm mosdeklarimin e pasurisë së përfituar me veprime të paligjshme, dhe nuk mund të kenë pozitë të njëjtë penalo-juridike ai që nuk e deklaron pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme me atë që pasurinë e ka përfituar me veprime kriminale. Edhe pse, për bindjen time, nuk ka nevojë të ndryshohet apo plotësohet neni aktual 430 i KPK-së, ngase Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i vitit 2022, ka paraparë dënime administrative (jo të vogla) për ata që nuk e deklarojnë pasurinë e përfituar në mënyrë të ligjshme.
Prishtinë , 13.12.2025.
Prof..Fejzullah Hasani
____________________________
[1] Neni 17.par.1. i ligjit Për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe
Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave Për të Gjithë Personat Zyrtarë i viti 2011.
[2] Shih nenin 11. nr. 04/l-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/l-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
[3] Shih nenin 427 i KPK të viti 2012
[4] Shih neni 430.par.3.i KPK, i viti 2019
[5] Shih nenin 92.par.1 të KPK-së ,të vitit 2019.