Nga energjia te ushqimi: Ja çfarë u shtrenjtua më së shumti në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin nëntor 2025, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 5,3 për qind, ndërsa ai mujor në 0,4 për qind. Sipas ASK-së, rritja e çmimeve në nëntor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar…

Lajme

13/12/2025 23:24

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin nëntor 2025, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 5,3 për qind, ndërsa ai mujor në 0,4 për qind.

Sipas ASK-së, rritja e çmimeve në nëntor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike (15,5%), pemëve (16,1%), mishit (13,7%), qumështit, djathit dhe vezëve (10,5%), si dhe biletave të fluturimeve (14,6%), transmeton lajmi.net.

Po ashtu, rritje të ndjeshme janë shënuar edhe te kafeja, çaji dhe kakaoja (14,0%), pushimet e organizuara (13,5%) dhe shërbimet hoteliere (8,8%).

Në baza mujore, nëntori krahasuar me tetorin ka shënuar rritje të çmimeve prej 0,4 për qind, ku ndikimin kryesor e kanë pasur shtrenjtimi i produkteve ushqimore, energjisë elektrike dhe karburanteve. Rritje më e theksuar është vërejtur te qumështi, djathi dhe vezët (4,2%), perimet (3,0%) dhe energjia elektrike (1,8%).

Ndërkohë, ulje e çmimeve është shënuar te biletat e fluturimeve (-15,9%) dhe pushimet e organizuara (-8,2%), si dhe te karburantet dhe lubrifikantët për automjete në baza vjetore (-0,8%).

ASK thekson se rritja e vazhdueshme e çmimeve po ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi shpenzimet e qytetarëve, veçanërisht në sektorët bazë si ushqimi dhe energjia./lajmi.net/