​Rasti i policit serb në Jarinjë mbyllet me 6,500 euro gjobë

Polici serb N.U., i arrestuar në Jarinjë nën dyshimin për transportim të fishekëve dhe mjeteve të gatshme monetare, është dënuar me gjobë prej 6 mijë e 500 euro pas pranimit të fajësisë. Lajmin e konfirmoi Hateme Haxhaj, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila tha se gjykata ka pranuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë…

Lajme

02/12/2025 12:25

Polici serb N.U., i arrestuar në Jarinjë nën dyshimin për transportim të fishekëve dhe mjeteve të gatshme monetare, është dënuar me gjobë prej 6 mijë e 500 euro pas pranimit të fajësisë.

Lajmin e konfirmoi Hateme Haxhaj, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila tha se gjykata ka pranuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë dhe ka shqiptuar dënimin me gjobë ndaj të pandehurit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë me datë 17.11.2025 e ka dorëzuar në gjykate aktakuzën së bashku me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, të arritur në mes të pandehurit dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Gjykata e ka pranuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë dhe ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej gjashtë mijë e pesëqind (6500) euro”- ka thënë Haxhaj.

Me aktvendim të veçantë të datës 20 nëntor 2025, ndaj të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e përhershëm të fishekëve të sekuestruar gjatë procedurës hetimore.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 01.11.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit në afat prej një muaji deri më 01.12.2025, për pjesëtarin e Policisë së Serbisë, i cili u arrestua në Jarinjë nën dyshimin se transportoi fishekë e parë të gatshme.

Ndërsa, më 2 nëntor 2025, Policia ka bërë të ditur se në vendkalimin kufitar në Jarinjë është arrestuar i dyshuar, pjesëtar i Policisë së Serbisë, për shkak se veturën me targa të Beogradit të cilën ishte duke e drejtuar, gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, 9 mijë e 900 euro dhe 26 mijë dinarë serbë.

“Nga i dyshuari janë sekuestruar dokumente personale si kartela e identifikimit së bashku me distinktivin e Policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së Policisë serbe, letërnjoftimi i Serbisë dhe Kosovës, pasaporta e Serbisë, një palë spaleta të uniformës, një palë dorëza dhe një USB”- thuhej në raportin e Policisë së Kosovës.