“Pritni deri me të 10-tin”, kishte paralajmëruar Abdixhiku, por dje në këshillin e LDK-së prezent ishte edhe Xhafer Tahiri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, një muaj më parë kishte reaguar pas arritjes së marrëveshjeje pas-zgjedhore mes kandidatit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli. Ai pati paralajmëruar se partia nuk do të qëndrojë pasive dhe se pas përfundimit të balotazhit do të merren vendimet…

Lajme

02/12/2025 10:10

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, një muaj më parë kishte reaguar pas arritjes së marrëveshjeje pas-zgjedhore mes kandidatit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli.

Ai pati paralajmëruar se partia nuk do të qëndrojë pasive dhe se pas përfundimit të balotazhit do të merren vendimet përkatëse.

“Për punë të shtëpisë merremi na vet. Më pritni pak. Më leni këto 20 ditë me garën… se kur ulesh aty e shtrin qafen, e ki kryetarin e një partie tjetër prapa, e se ki kryetarin tënd. Kjo s’është përfaqësim i denjë”, kishte thënë Abdixhiku.

Madje në deklarim e sipër, Abdixhiku i ishte referuar Tahiri edhe si “qyqan”.

Mirëpo tashmë kur kanë kaluar më shumë se një muaj, LDK nuk ka marrë asnjë masë ndaj ish-kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri.

Kurse Xhafer Tahiri dje ishte prezent në mbledhjen e këshillit të LDK-së, ku edhe u propozua Lumir Abdixhiku, edhe një herë kandidat për kryeministër.

“Bashkë me Dr. Bujarin dhe Nënkryetarën Edona në Këshillin e përgjithshëm të LDK”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në Facebook.

Tonet e ashpërsuara në drejtim të Tahirit duket se më shumë ishin për opinionin publik pasi nuk u pa asnjë ndryshim pas datës 10 nëntor, krejt kjo pasi edhe në komunikatën e LDK-së, thuhej se vendimi i Tahirit ishin veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë. Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në reagimin e LDK-së.

Po ashtu Xhafer Tahiri ditë më parë njoftoi se dha dorëheqje nga drejtimi i degës së LDK-së në Vushtrri./Lajmi.net/