Vazhdon protesta e Trafikut Urban deri në alokimin e borxhit total nga Komuna

Tash e dy ditë, në Komunën e Prishtinës, janë pezulluar të gjitha linjat e trafikut urban në kryeqytet. Ky pezullim ka ardhur pasi Komuna e Prishtinës, i ka borxh kësaj ndërmarrje 2 milionë e 700 mijë euro, e cila po iu pamundëson atyre funksionim dhe kryerjen e shërbimeve. Të njëjtit punëtorë, dje kanë filluar protestë…

Lajme

25/11/2025 20:04

Tash e dy ditë, në Komunën e Prishtinës, janë pezulluar të gjitha linjat e trafikut urban në kryeqytet.

Ky pezullim ka ardhur pasi Komuna e Prishtinës, i ka borxh kësaj ndërmarrje 2 milionë e 700 mijë euro, e cila po iu pamundëson atyre funksionim dhe kryerjen e shërbimeve.

Të njëjtit punëtorë, dje kanë filluar protestë duke kërkuar paratë e tyre. Protesta ka filluar para Komunës së Prishtinës, e më pas iu është bashkuar edhe vetë kryetari i kësaj Komune, Përparim Rama e që së bashku e kanë vazhduar këtë protestë para Qeverisë së Kosovës.

“Këtë protestë pa dëshirën tonë, por i falënderoj qytetarët të cilët na kuptojnë,. Punëtorët që gjashtë muaj s’kanë marrë paga. Qe 6 muaj pa paga janë, tv qe 20 ditë është që s’ka marrë pagë e po ankohen, e njerëzit dhe me paga e s’po munden t’ia dalin e lëre më na që gjashtë muaj.Familjet kanë nevojë për paga. Punëtorët kanë nevojë për paga e s’ja kemi borxh as komunës as kurrkujt që me na pru në këtë gjendje as mjetet na i kërkojmë ku janë tonat që janë, qato i kërkojmë për shërbimin që e kemi bë. Qytetarët i falënderoj shumë që na mirëkuptojnë e na vjen keq prej tyre që e përdorin transportin publik-urban. Na kemi ardhur sot t’i shprehim pakënaqësitë tona, kërkoj që të gjithë të na përkrahin në të drejtën tonë”, ka deklaruar dje një përfaqësues i këtyre punëtorëve.

Protesta ka vazhduar sot, në përmasa më të mëdha. Autobusët e Trafikut Urban, sot janë parkuar në rrugën “Agim Ramadani”, afër Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.

Këta autobusë nuk janë larguar as pasi iu është kërkuar nga Policia..-

“Asnjë nuk lëvizim pa u kry protesta, as nuk jemi për drogë e as për hajni por për protestë. Të shohim, sekretari ka e dhënë deklaratën, atëherë i largojnë, nesër fillojnë edhe më gjerë. Ne jemi në të drejtën dhe vendin tonë. Autobusët që janë në “Agim Ramadan” pa përfundu protesta asnjë nuk lëvizim. Ne e kemi paralajmëruar dje që protesta ka me qenë në këtë rrugë dhe nuk lëvizim për dy-tre orë. Autobusët asnjë nuk kanë me u largu. Duhet me reflektu Ministria e Financave. Autobusët e Trafikut Urban dhe privatë nuk lëvizin pa u kry protesta, pikë”, ka thënë sot njëri nga protestuesit.

Kjo protestë, do të vazhdoj edhe nesër.
Kështu ka thënë përfaqësues i Trafikut Urban, Ilmi Gashi për lajmi.net.

“Po protesta do te vazhdon deri ne alokimin e borxhit total nga ana e komunes”, ka thënë Gashi.

Pezullimi i linjave të Trafikut Urban ka shkaktuar kaos në kryeqytet. Qytetarëve iu është vështirësuar lëvizja në lagje të ndryshme të këtij qyteti, ndërkaq nuk dihet se kur mund të bëhet një zgjidhje për këtë situatë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me ngulm po kërkon 35 milionë euro të të hyrave vetanake të kryeqytetit.

“Ju kërkoj falje qytetarëve që është ardhë deri në këtë pikë, edhe pse ne kemi lajmëruar me muaj të tërë për bllokadën që po i bëhet Prishtinës jashtëligjshëm. Vazhdojnë që mjetet vetanake të jenë të bllokuara jashtëligjshëm. Pra çka meritojmë me ligj, diku rreth 35 milionë euro e me të cilat do t’i kryenim të gjitha në momentin që hidhen në konton e kryeqytetit. Dje ishim me protestuesit përpara Qeverisë ku kërkova një takim urgjent me ministrin e kryeministrin në detyrë, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohemi menjëherë kudo që ata dëshirojnë e të zhbllokojmë këtë çështje që po bëhet problem pa pasur nevojë. Zgjedhjet lokale kanë përfunduar e ju lutem t’i lëmë politikat bllokuese prapa. Fondet që na takojnë me ligj t’i transferojnë menjëherë e protestuesit ti marrin pagat e veta”, ka thënë Rama sot në një konferencë për media.

Hekuran Murati në vazhdimësi po akuzon LDK-në dhe opozitën se të njëjtit nuk e kanë votuar buxhetin për Prishtinën të vitit 2025, dhe se kjo që po ndodh është faj i tyre.

Pavarësisht se i kujt është faji, pasojat po i bartin qytetarët dhe punëtorët e Trafikut Urban. /Lajmi.net/