Arrestohet në Shtime 32-vjeçari i kërkuar për vrasje në tentativë dhe lëndim trupor
Policia e Stacionit në Shtime ka arrestuar personin e kërkuar E.M. (32 vjeç), i dyshuar për kanosje dhe i shpallur në kërkim për disa raste penale. Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se reagimi i policisë erdhi pas një ankese të paraqitur nga një qytetar, ku u raportua se i dyshuari e kishte kanosur…
Lajme
Policia e Stacionit në Shtime ka arrestuar personin e kërkuar E.M. (32 vjeç), i dyshuar për kanosje dhe i shpallur në kërkim për disa raste penale.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se reagimi i policisë erdhi pas një ankese të paraqitur nga një qytetar, ku u raportua se i dyshuari e kishte kanosur atë.
“Pjesëtarë të policisë të udhëhequr nga komandanti i stacionit kanë nisur kërkimin e tij. Rreth orës 13:30, policia mori informatë se i dyshuari, së bashku me një të afërm ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit. Gjatë tentimit për tu larguar me një veturë të tipit ‘Pick-up’, E.M. kishte shfaqur një armë zjarri (pistoletë) dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc”.
“Fillimisht policia ka arrestuar M.M. (43 vjeç), i cili dyshohet se e ka ndihmuar të dyshuarin gjatë arratisjes. Më pas, me vendosjen e njësive policore në zona strategjike në fshatin Carralevë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari kryesor, pa u rrezikuar pjesëtarët e policisë”, thuhet në njoftim.
Policia theksoi se gjatë kontrollit tek E.M. është gjetur dhe është sekuestruar një armë zjarri me disa fishekë.
I dyshuari ka qenë në kërkim për: posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lëndim të rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe vrasje të mbetur në tentativë, rast i hapur nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.
Ndërsa ndaj të dyshuarit M.M është iniciuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryerjes së veprës penale”
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.
