Vëllai i boksierit të vrarë Besar Nimani dënohet me burg të përjetshëm, motra merr 5 vite burg

Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë një vendim të fortë ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani. Vëllai i tij, Berati, është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij ka marrë pesë vite burg për përfshirje në të njëjtin akt kriminal. Sipas gjykatës, Berati…

Bota

20/11/2025 21:31

Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë një vendim të fortë ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani. Vëllai i tij, Berati, është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij ka marrë pesë vite burg për përfshirje në të njëjtin akt kriminal.

Sipas gjykatës, Berati kishte qëlluar ndaj anëtarëve të familjes së personit që vrau vëllain e tij, duke shfaqur një “përbuzje të thellë”, e cila ishte evidente edhe në letrat që kishte dërguar nga burgu. Vendimi i gjykatës tejkaloi ndjeshëm kërkesën fillestare të prokurorisë, e cila kishte kërkuar 12 vjet burg për Beratin. Motra e tij u shpall gjithashtu fajtore për tentativë vrasjeje dhe dënohet me pesë vjet burg, transmeton lajmi.net.

Seanca u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, me pjesëmarrjen e nënës dhe disa motrave të të pandehurve, të cilët reaguan me emocione të forta ndaj vendimit. Nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla e gjyqit.

Rrënjët e konflikteve mes familjeve shqiptare dhe kurde në Bielefeld datojnë prej vitesh dhe lidhen, sipas dyshimeve, me aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës. Situata u përshkallëzua në mars 2024, kur boksieri Besar Nimani u qëllua për vdekje në qytetin e vjetër të Bielefeldit.

Vendimi përfundimtar u shty disa herë për shkak të mocioneve të mbrojtjes. Seanca finale nisi me vonesë, pasi avokatët mbrojtës të Beratit paraqitën tre mocione shtesë, duke argumentuar se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe se jeta e tij ishte kërcënuar nga familja rivale për një kohë të gjatë. Gjyqtarët refuzuan mocionet dhe konfirmuan dënimet e dhëna./lajmi.net/