Osmani kërkon rol udhëheqës të Gjermanisë për integrimin e Kosovës në BE: Nuk jemi barrë për Evropën, jemi potencial për ta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin POLITICO, derisa bashkë me gazetarin po ecnin rrugëve të Berlinit të Gjermanisë. Ajo ka thënë se populli i Kosovës ka parë gjithmonë rrugën e integrimit evropian, dhe se ne nuk flirtojmë me fuqi të tjera dhe keqdashëse, siç sipas saj janë Rusia, Kina dhe…

Lajme

16/11/2025 20:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin POLITICO, derisa bashkë me gazetarin po ecnin rrugëve të Berlinit të Gjermanisë.

Ajo ka thënë se populli i Kosovës ka parë gjithmonë rrugën e integrimit evropian, dhe se ne nuk flirtojmë me fuqi të tjera dhe keqdashëse, siç sipas saj janë Rusia, Kina dhe Irani.

“Nuk ndjejmë se kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që jemi 100% tërësisht të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është shikuar apo vlerësuar siç duhet. Përkundrazi, duket se merret si e mirëqenë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se 97% e popullit të Kosovës është pro-evropian, shkruan lajmi.net.

“Reformat e tona në ekonomi, në sundimin e ligjit, sidomos në luftimin e krimit dhe korrupsionit kanë qenë themelore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit jemi të bllokuar. Duket se procesi i bazuar në merita për të cilin BE flet aq shumë, ende nuk po shfaqet realisht. Nuk e shoh se po ndodh. Por, shpresoj, siç edhe thatë ju se Gjermania do të luaj rolin udhëheqës për të shtyrë përpara një proces të tillë, sepse ne nuk po kërkojmë bamirësi. Nuk po kërkojmë shkurtesa, por respekt dhe pranim. Respekt për punën që bëjmë dhe pranim për reformat që ndërmarrim. Dhe nëse kjo merret parasysh, Kosova do të ishte vendi kryesues.  Por, siç është situata aktuale, ne ende nuk e kemi as aplikimin tonë të shqyrtuar. Aplikuam në dhjetor të 2022, dhe tani jemi afër dhjetorit 2025 dhe ai aplikim ende qëndron diku në sirtar të BE-së, pa asnjë lëvizje përpara. Nëse Gjermania merr një rol udhëheqës, mendoj se mund të ketë zhvillime, siç ka ndodhur në çdo proces të mirë deri tani”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Kosova nuk duhet parë më si barrë, pasi siç ka thënë Osmani, Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, të aftë në teknologji, shumëgjuhëshe, dhe më të mirët në Evropën Juglindore në fushën e IT-së.

“Një Ballkan Perëndimor që nuk është paqësor, stabil dhe i sigurt, nënkupton një Evropë që nuk është paqësore, stabile dhe e sigurt. Pra, nëse rajoni jonë, në bazë të meritave, avancon drejt BE-së, edhe vendet anëtare të BE-së do të përfitonin nga kjo”, ka shtuar Osmani. /Lajmi.net/