Skandali në KEK: Tenderi 137 milionë euro u ndryshua gjashtë herë, dyshime për favorizim dhe manipulim me procedura – asnjë reagim nga kryeshefi Hashani dhe bordi drejtues

Tenderi madhor i këtij viti nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ai për “Rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” me vlerë 137 milionë e 340 mijë euro, po shoqërohet me dyshime të rënda për manipulim, favorizim dhe paaftësi profesionale. Ky tender është zhvilluar me procedurë të negociuar, ndërsa gjatë një viti…

Lajme

14/11/2025 14:43

Tenderi madhor i këtij viti nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ai për “Rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” me vlerë 137 milionë e 340 mijë euro, po shoqërohet me dyshime të rënda për manipulim, favorizim dhe paaftësi profesionale.

Ky tender është zhvilluar me procedurë të negociuar, ndërsa gjatë një viti prej muajit janar të 2025-es ka pësuar plot gjashtë ndryshime, duke përfshirë ndryshime të kritereve teknike dhe afateve të dorëzimit të ofertave – veprime që sipas ekspertëve ngrenë dyshime serioze për përshtatje të kritereve për një kompani të caktuar.

Gazeta Infokus ka kërkuar sqarime zyrtare nga KEK-u, por deri në publikimin e këtij artikulli korporata nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Po ashtu, ka kërkuar qasje në dosjen e plotë të tenderit, duke qenë se në platformën e-prokurimi nuk ofrohen të gjitha dokumentet dhe ndryshimet e bëra gjatë procesit.

Ndërkohë, inxhinierja energjetike dhe njohësja e këtij sektori Janina Ymeri, ka ngritur akuza të forta ndaj KEK-ut, duke e cilësuar procesin si të paqartë, të improvizuar dhe të dyshimtë.

“Ky tender 137 milionësh është shembull tipik i mungesës së planifikimit teknik. KEK që në fillim nuk ka ditur çfarë kërkon. Kriteret janë ndryshuar disa herë për t’iu përshtatur operatorëve të caktuar, duke lëvizur si ‘rregulla loje fëmijësh’. Kjo nuk është praktikë profesionale – është improvizim me pasoja të rënda për sistemin energjetik”, tha Ymeri për Gazetën Infokus.

Sipas saj, ndryshimi i kritereve, përfshirë zvogëlimin e përvojës së kërkuar nga 15 në 10 vjet tregon mungesë transparence dhe synim për përjashtim ose favorizim të kompanive sipas dëshirës, jo meritës teknike.

“Ka vend për dyshime serioze. Kur një tender i kësaj vlere pëson kaq shumë ndryshime, me afate që shtyhen dhe kritere që përshtaten, është e qartë se po hapet rrugë për një kompani të caktuar. Dhe kur mes të kualifikuarve del ‘Limak’, për të cilën qysh më parë ka pasur informacione se tenderi po përgatitej për të dyshimet vetëm thellohen”, shtoi ajo.

Ndërkohë nga KEK këtë javë njoftuan për përmbylljen e fazës së parë të këtij tenderi ku pas afro një viti po konsideohet si “përmbyllje me sukses”.

Sipas KEK-ut, kjo fazë është zhvilluar përmes procedurës konkurruese me negociata, me pesë aplikacione të pranuara nga konsorciume vendore e ndërkombëtare duke konfirmuar se njëra ndër kompanitë e përzgjedhura është edhe LIMAK Inşaat nga Turqia.

“Pas vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur, komisioni profesional vlerësues ka përzgjedhur tre konsorciume të kualifikuara: KEPCO Plant Service & Engineering Co., LTD; DYPNF Co., Ltd.; BHI Co., Ltd. nga Koreja e Jugut; HIB PETROL SH.P.K., Florian Viqa dhe NTPC Limited nga Kosova e India; si dhe LIMAK INŞAAT SANAYI ve TICARET A.Ş. nga Turqia,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Sipas tyre procesi ka shkuar totalisht në përputhje me Ligjin për Prokuorimin Publik..

“Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik, duke garantuar transparencë të plotë, konkurrencë të ndershme dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës,” thuhet në njoftimin e KEK-ut, ku theksohet se ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji dhe zgjatjen e jetës operacionale të njësisë prodhuese A3.

Procedurë me negociata, pa fizibilitet, pa qartësi, me plot dyshime

Njohësja e sektorit te energjetikes, Janina Ymeri, thotë se zgjedhja e procedurës me negociata, në mungesë të një studimi të fizibilitetit dhe specifikave të qarta teknike, është “gabim fatal profesional dhe ligjor”.

“Kjo tregon se KEK nuk ka pasur qartësi që nga fillimi. Procedura me negociata, kur nuk ka specifika të qarta, hap dyert për manipulim dhe ndikim politik. Ka indikacione që vendimmarrjet nuk janë bazuar në kritere teknike, por në ndikime të jashtme, madje edhe në përfshirje të akterëve jozyrtarë.”

Tenderi, i publikuar më 23 janar 2025, ka kaluar plot 10 muaj zvarritje dhe mbetet ende në fazë parakualifikimi, duke sjellë dyshime për mungesë transparence, paaftësi profesionale dhe përgatitje paraprake të fituesit.

Ymeri shton se nëse vazhdojnë me vonesa të tilla, do të humbasë totalosht besimi se KEK mund të ofrojë siguri energjetike në Kosovë.

“Nëse kjo procedurë vazhdon kështu, kemi të bëjmë me një skenar të ndërtuar për të favorizuar operatorë të caktuar. Dhe kjo nuk është më thjesht çështje tenderi – është çështje e besueshmërisë së KEK-ut dhe sigurisë energjetike të Kosovës”, thotë ajo.

Tenderi që mund të cënoj sigurinë energjetike të Kosovës

Ymeri paralajmëron se vonesat e këtij projekti po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e furnizimit me energji.

“Njësia A3 siguron rreth 10% të prodhimit vendor. Shtyrja e tenderit nënkupton import më të madh të energjisë. Vetëm deri më 1 nëntor, Kosova ka importuar deri në 770 mijë euro në ditë – edhe në ditë të zakonshme, jo vetëm në dimër. Ky është oksigjeni i sistemit në mungesë të prodhimit vendor, fiton tregtia e energjisë, jo qytetari”, deklaron inxhinerja.

Sipas të dhënave, Noa Energy rezulton të jetë importuesi dominues i energjisë për Kosovën, ndërsa Vuk Hamović dhe strukturat e tij fitojnë ankande të përditshme për kapacitete transporti edhe për vitin 2025 fakt që, sipas Ymerit, tregon qartë se vonesat e tenderëve publikë në energji favorizojnë tregtarët e energjisë.

“Çdo ditë që shtyhet tenderi i A3 është fitim për tregtarët e energjisë dhe humbje për qytetarët. KEK po dështon në sigurimin e prodhimit bazë, ndërsa importet po e varfërojnë sistemin çdo ditë e më shumë.”

 

Është raportuar gjatë tërë kohës  për rëniet e vazhdueshme të bllokut A3 edhe pas “renovimeve” tre ditëshe.
Madje duke ardhur në një situatë ku KEK për 24 orë ka emetuar ZERO energji elektrike, për herë të parë pas luftës, duke bërë që kërkesat të përmbushen tërsisht përmes importit e duke humbur miliona euro vetëm në transport të energjisë elektrike.
Dokument: Njoftimi i publikuar për herë të gjashtë me “korrigjim gabimi”.