Sot pritet të ekzekutohen pensionet me rritje prej 150 euro
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në ditën kur do të ekzekutohen pensionet ka thënë se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti. Murati ka shkruar në Facebook se pensionin bazik e gjetën 90 euro e nga sot sipas tij, do të jetë 150, një rritje, siç shkruan…
Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në ditën kur do të ekzekutohen pensionet ka thënë se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti.
Murati ka shkruar në Facebook se pensionin bazik e gjetën 90 euro e nga sot sipas tij, do të jetë 150, një rritje, siç shkruan ai, prej 67 për qind brenda mandatit.
Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuar tha se pensionet i rritën për 100 për qind, nga 75 sa i gjetën në 150 që do t’i marrin sot.
“Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti. Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit. Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar”, ka shkruar Murati në Facebook.
Vendimi për rritjen e pensioneve u mor në mbledhjen e qeverisë më 31 dhjetor, ku u vendos gjithashtu edhe për rritjen e shtesave për fëmijë për 50 për qind.