Lushaku-Sadriu: Veprimi i Xhelal Sveçlës ndaj aktivistit të LDK-së është joligjor dhe fatkeqësi për demokracinë

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur fatkeqësi veprimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, e ka fotografuar një aktivist që mbante simbolin e LDK-së. Ajo ka deklaruar se ky veprim i Sveçlës…

Lajme

12/11/2025 19:07

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur fatkeqësi veprimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, e ka fotografuar një aktivist që mbante simbolin e LDK-së.

Ajo ka deklaruar se ky veprim i Sveçlës është joligjor dhe i bën qytetarët të ndihen të pasigur.

“Nuk e komentoj deklaratën e tij, sepse me të vërtetë është e pavlerë; e komentoj sjelljen e tij në ditën e zgjedhjeve ndaj një aktivisti tonë, i cili ishte me shenjën e LDK-së. Me të vërtetë është fatkeqësi mënyra e sjelljes së Xhelal Sveçlës, por edhe e shumë njerëzve që janë përreth kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje; ajo ka bërë që të humbë kandidati i tyre”.

“Sepse njerëzit i bënë të ndihen të pasigurt, kur një njeri ia ndalon dikujt qenien në rrugë me një simbol, kjo është e padrejtë. Kjo madje është edhe joligjore, dhe kur një njeri i pushtetshëm që sot e udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme sillet kështu, kjo është vërtet fatkeqësi, sepse njerëzve u mbillet frikë me këtë”, ka thënë Lushaku-Sadriu në Klankosova.

Në pyetjen se a ka ndikuar kjo në rritjen e votave për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën, Lushaku-Sadriu ka thënë: “Po, sepse njerëzit e ndërgjegjshëm, njerëzit që dëshirojnë që Kosova të jetë një vend demokratik, i lirë, ku njerëzve nuk u vjen keq të bartin simbolet e partive të tyre politike, atë e dëshirojnë njerëzit. Jo të kundërtën, ku një ministër i pushtetshëm i turret një aktivisti të thjeshtë të LDK-së. Ne jemi promotorë të vlerave të lirisë”.