KQZ themelon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është shqyrtuar dhe miratuar rekomandimi për themelimin e Komisionit për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në vendvotime për Zgjedhjet e Raundit të Dytë për Kryetar Komune. Besnik Buzhala – Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të…

Lajme

12/11/2025 17:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është shqyrtuar dhe miratuar rekomandimi për themelimin e Komisionit për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në vendvotime për Zgjedhjet e Raundit të Dytë për Kryetar Komune.

Besnik Buzhala – Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se në raportet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Gjakovë janë evidentuar gabime në kodet e vendvotimeve në fletëvotime, të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të shtypjes.

Për këtë arsye, është rekomanduar formimi i një komisioni që do të bëjë vlerësimin dhe krahasimin e numrit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

““Në raportet e pranuara nga komisionet komunale në zgjedhjet në Komunën e Mitrovicës dhe Gjakovë, ku janë evidentuar problematika e kodeve të vendvotimeve në fletëvotime dhe dërgimit të tyre tek kompania për shtypjen e fletëvotimeve, e njëjta ka konstatuar që ka pasur gabime në shtypjen e kodeve në fletëvotime. Rekomandojnë formimin e komisionit i cili do të bëjë vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Me qëllim që të realizohet një vlerësim i detajuar lidhur me fletëvotimet e përdorura dhe numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në komunat Mitrovicë dhe Gjakovë, është e nevojshme vendimmarrja e formimit të komisionit.””, ka thënë Buzhala.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftoi se është pranuar një raport nga kompania “Cetis”, ku janë konstatuar disa raste të fletëvotimeve me kode të gabuara, dhe se raporti do të shërbejë për hetimet e Prokurorisë dhe për përgjigjen ndaj PZAP-së.

Para një ore kemi pranuar edhe një raport nga kompania Cetis, i cili është raport i detajuar për të gjitha komunat për fletëvotimet që i kanë printuar, dhe në atë raport saktësohen të gjitha dënget e fletëvotimeve të printuara, kur rezulton që në këto dënge janë diku dy votat e fundit që kanë pasur numrat e vendvotimeve të ndryshme apo të një qendre tjetër. Është e rëndësishme që këtë raport komisioni ta trajtojë në përputhje me kutitë që gjenden të mbyllura për Mitrovicë dhe Gjakovë. Ata kanë dhënë edhe numrin e saktë që ka ndodhur gabimi, por na nevojitet ta vlerësojmë nga kutitë e votimeve. E njëjta do të shërbejë në përgjigjen e PZAP-së. Për komunat tjera do merren mostra për të parë nëse ka qenë një trend i njëjtë. Është paraqitur rast për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP, por për ne, së dyti është për prokurorinë, për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori. Raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë, por edhe PZAP. Sa për numrin e këtyre, nuk mundemi të konstatonim numrin pa hapur kutitë e votimit”, tha Radoniqi.

Anëtari i KQZ-së, nga rradhët e PDK,-ë Arjanit Elshani tha se nuk janë pranuar raporte zyrtare të detajuara dhe se gabimet teknike po ndikojnë në politikë.

“Nuk kemi pranuar asnjë raport zyrtar nga kompania në fjalë, një komunikatë që iu është dhënë edhe publikut për të cilën nuk shprehen detajisht të gjitha gabimet. Kemi nevojë për raporte voluminoze. Si përfaqësues i PDK-së në KQZ e di se në asnjë rast, kurdo që keni pasur ankesë në PZAP, nuk janë bërë. Këto analiza dhe raporte që e përfshijnë, konsideroj që janë një hap prej kompetencave që ka KQZ. Kam parë nga afër të gjitha ato fletëvotime, që po i quani ju gabime teknike, por po ndikon në politikë. Lidhur edhe me komunikatën që është dhënë për çështjen e plasimit nga një qendër në qendër vijuese, konsideroj që duhet të shikohen mirë dhe të trajtohen mirë, edhe qytetarët në Mitrovicë konsiderojnë që është cenuar integriteti zgjedhor, dhe meqenëse kërkesa është për rivotim, pres që të kemi një kërkesë të tillë për komisione të tilla.”

Anëtari i KQZ-së, nga rradhët e VV-së Alban Krasniqi kërkoi që gabimet të bëhen publike dhe të ketë transparencë.

“Nga ju u tha dhe është mirë që kjo të shndërrohet në një komunikim publik që kemi fletëvotime që janë shtypur me gabime, njëjtë si në rastin në Mitrovicë e Gjakovë. Kjo është mirë që të bëhet sa më parë publike dhe ta dijë edhe institucionet e tjera. Mirëpo, jemi në një gjendje të një ankesë që është bërë dhe duhet të dinë edhe institucionet e tjera. Këto gabime teknike që janë bërë duhet të jenë transparente, që procesi të mos ketë asnjë keqkuptim, sepse nuk ka asgjë më tepër sesa këto që janë thënë edhe nga KQZ edhe nga kompania.”

Anëtari i KQZ-së, nga rradhët e PDK,-ë Ilir Gashi shtoi se hetimet duhet të bëhen nga organet kompetente dhe jo për të krijuar alibi politike.

“Ju referuar prokurorisë, është mirë të tregoni nëse keni një kërkesë nga prokuroria që të bëhet një hetim i tillë, ose PZAP ka shkruar në bazë të ankesave të bëhet një hetim i tillë. Ne, parimisht, nuk jemi kundër çdo verifikimi, thjeshtë verifikimet zakonisht bëhen pas procesit zgjedhor, natyrshëm që ne i bëjmë për çështjet tona të brendshme, jo për të krijuar argumente ose alibi që i shërbejnë vendimeve të cilat do të duhej të hetoheshin nga vet prokuroria apo ndonjë komision i bërë nga PZAP. Këtë çështje mendoj që duhet ta trajtojnë këto dy organe, sepse është shumë e ndjeshme. Është me rëndësi për publikun rregullorja me të cilat punojmë me to. Rregulloret tona përcaktojnë qartë kriteret e fletëvotimeve që duhet të përmbajnë, për arsye që KQZ ka paraparë një rregullore. Ne kemi paraparë që në çdo vendvotim të përshtatet fletëvotimi me kodin serik, dhe një nga arsyet kryesore pse është vendosur që secili vendvotim të ketë numrin serik është për të ndaluar trendin bullgar, i cili fatkeqësisht po funksionon në Kosovë.”

Anëtari i KQZ-së, nga rradhët e VV-së Sami Kurteshi mbështeti formimin e komisionit dhe theksoi nevojën për hetim profesional dhe transparencë të plotë.

“A ka dikush në KQZ apo në publik kundër raporteve të detajuara për çka ka ndodhur, kundër transparencës, a ka dikush diçka? Nuk ka. Po habitem të kërkohen raporti më vonë, jo më herët. Nuk është i lënduar procesi në Mitrovicë. Një grup njerëzish i organizuar dhe orkestruar shumë mirë ka dalë dhe ka kundërshtuar, është krijuar një standard i pa shkruar në Kosovë; partitë politike i pranojnë rezultatet pas zgjedhjeve, tash po del se nuk i pranojnë. Pjesë e atij standardi është edhe PDK. Tani nuk po vlen ai standard. A ka dikush kundër transparencës së plotë? Një raport i detajuar duhet të vërtetohet për KQZ-në, PZAP. Unë pajtohem që të krijohet komisioni që në mënyrë profesionale të bëjë hetimin e të gjitha kutive. Ne po themi që tashmë po e vë në pikëpyetje edhe këto komunikatat e firmës që ka bërë shtypjen. Sa di unë nga KQZ-ja, ajo monitoron procesin e shtypjes, kush ka qenë në monitorim.”