Çka pritet të dëshmoj Michael Durkee në Hagë?
Ish-këshilltari politik i gjeneralit Wesley Clark, Michael Durkee, sipas mbrojtjes së Hashim Thaçit, pritet të dëshmojë se dhuna e përhapur në Kosovë gjatë vitit 1999 ishte spontane dhe nuk mund të kontrollohej nga UÇK-ja. Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, deklaroi se Durkee do të vërë në dukje se Thaçi nuk kishte motive për të nxitur…
Lajme
Ish-këshilltari politik i gjeneralit Wesley Clark, Michael Durkee, sipas mbrojtjes së Hashim Thaçit, pritet të dëshmojë se dhuna e përhapur në Kosovë gjatë vitit 1999 ishte spontane dhe nuk mund të kontrollohej nga UÇK-ja.
Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, deklaroi se Durkee do të vërë në dukje se Thaçi nuk kishte motive për të nxitur dhunën dhe bëri përpjekje për ta zbutur atë, duke e kuptuar rëndësinë e marrëdhënieve me ndërkombëtarët. “Udhëheqja e UÇK-së nuk mund ta kontrollonte dhunën për shkak të emocioneve të forta të njerëzve që po largoheshin dhe mungesës së një linje të fortë komanduese. Thaçi nuk kishte asnjë motiv për ta nxitur dhunën dhe përpiqej ta menaxhonte situatën”, tha Tavakoli, transmeton lajmi.net.
Durkee ka qenë këshilltar politik për katër komandantë të lartë të NATO-s në Evropë, duke përfshirë Wesley Clark, dhe ka vepruar si oficer ndërlidhës me ambasadorët dhe aktorët në terren në Kosovë gjatë konfliktit.
Sipas Tavakolit, Durkee do të theksojë gjithashtu se gjatë takimeve në Rambuje, ai dhe gjenerali Clark vlerësuan se udhëheqësit e UÇK-së kërkonin pavarësinë e Kosovës, por nuk kishin një strategji të qartë ushtarake dhe nuk kishin mundësi ta realizonin këtë qëllim.
Durkee do të sqarojë gjithashtu se dhuna pasluftës në Kosovë, gjatë verës së 1999-ës, ishte një reagim social spontan, i përhapur gjerësisht dhe që nuk mund të kontrollohej as nga KFOR-i, as nga UÇK-ja, duke u shndërruar në një hakmarrje spontane të komuniteteve të prekura./lajmi.net/