“Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim” – Fjalët e para të Krasniqit pasi dha dorëheqje nga PDK

Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Lajmin për këtë e ka dhënë vetë Krasniqi përmes një konference për media, ku ka thënë se vendimi për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por është reflektim i gjatë i tij mbi atë çka…

Lajme

12/11/2025 15:52

Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmin për këtë e ka dhënë vetë Krasniqi përmes një konference për media, ku ka thënë se vendimi për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por është reflektim i gjatë i tij mbi atë çka i duhet PDK-së në të ardhmen.

“Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për të qenë kryeministër i vendit, unë e mendoj se kryetari ynë duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër i vendit”, ka thënë Krasniqi duke e arsyetuar vendimin e tij.

Ai ka thënë se vendimin për dorëheqje e bën me paqe në shpirt dhe dashuri për PDK-në e Kosovën në zemër.

“PDK është një amanet nga ata që luftuan për pavarësi, shtet dhe dinjitet dhe amaneti mbahet kur udhëheqim me zemër. Kur dimë jo vetëm si të qëndrojmë mirë por edhe si të largohemi mirë. Kjo është detyra e një lideri”, ka shtuar Krasniqi.

Ai ka thënë se do të mbetet në PDK, me bindjen se ajo mund të bëhet më e fortë dhe se ata e kanë për detyrë për të qëndruar bashkë.

“Sot ftoj çdo strukturë, çdo anëtarë të bashkohet si asnjëherë më parë. PDK e ka për detyrë ti dal zot vendit. Kosova ka nevojë për shërbim të sinqertë, bashkim dhe vizion dhe vetëm PDK mund ta ofroj këtë ndryshim. PDK është parti e njerëzve të mirë dhe atdhetarëve, ka shumë energji, dije e zemra që rrahin për Kosovën. Kjo është arsyeja pse unë besoj në të ardhmen e partisë”, ka shtuar Krasniqi.

Ai ka thënë se ka thirrur Konventën e jashtëzakonshme të PDK-së që do të mbahet të hënën ku do të zgjidhet kryetari i ri.

“Faleminderit të gjithëve, qytetarëve, çdo votuesi, aktivisti të PDK-së, miqve bashkëpunëtorëvë, familjes sime që ishin gjithmonë krah i imi. Unë sot largohem nga detyra e kryetarit të PDK-së me mirënjohje dhe krenari, me bindjen që bashkë me çdo anëtarë kemi dhënë gjithçka. Jam i bindur se PDK do të mbetet në duart e sigurta dhe siç e ka thënë presidenti Thaçi i pari kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim sepse PDK është shtëpia ime e dytë, dhe përtej saj nuk kam ku të shkoj. Zoti e bekoftë PDK-në dhe Kosovën”, ka shtuar Krasniqi ndër të tjera. /Lajmi.net/