IKD kërkon hetim të mirëfilltë penal mbi dyshimet për manipulim me vota në Mitrovicë

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dalë me një komunikatë në lidhje me zhvillimet në qendrën e numërimit në Mitrovicë. Lidhur me këtë, IKD ka kërkuar hetim të mirëfilltë penal. Sipas tyre veprimet e Prokurorit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë ofruar për publikun dëshmi dhe sqarime të besueshme lidhur me dyshimet…

Lajme

12/11/2025 13:25

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dalë me një komunikatë në lidhje me zhvillimet në qendrën e numërimit në Mitrovicë. Lidhur me këtë, IKD ka kërkuar hetim të mirëfilltë penal.

Sipas tyre veprimet e Prokurorit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë ofruar për publikun dëshmi dhe sqarime të besueshme lidhur me dyshimet e ngritura.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka përcjellë raportimet e ngritura në publik lidhur me dyshimet për manipulim gjatë procesit zgjedhor të 9 nëntorit në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Pa paragjykuar epilogun e rastit, në këtë situatë, veprimet e Prokurorit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë ofruar për publikun dëshmi dhe sqarime të besueshme lidhur me dyshimet e ngritura, gjë që është thelbësore për të ruajtur besimin qytetar dhe integritetin e procesit zgjedhor. Mungesa e komunikimit të qartë dhe e informimit të plotë ka krijuar pasiguri dhe ka cenuar parimet demokratike mbi të cilat mbështeten zgjedhjet e lira dhe të drejta. Bazuar në informatat e publikuara, gjatë verifikimit të votave për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, janë evidentuar një numër i konsiderueshëm i fletëvotimeve, numri serik i të cilave nuk përputhet me vendvotimin, si dhe fletëvotime pa numër serik. Thënë më ndryshe, votat e njërit vendvotim dyshohet se janë gjendur në kutitë e një vendvotimi tjetër apo se në kuti të votimit janë futur vota pa numër serik. I njëjti fenomen si duket në masë më të vogël ka qenë prezent edhe në Komunën e Gjakovës.”

Lidhur me fletëvotimet me numra serikë që s’janë përputhur me vendvotimin, IKD thotë se KQZ u mjaftua me një përgjigje të kompanisë. Por sipas tyre, kjo nuk është e mjaftueshme për të shuar dyshimet.

“Për këtë situatë, KQZ është mjaftuar me një përgjigje nga kompania “CETIS” se në rastin konkret kemi të bëjmë me një gabim teknik në shtypjen e fletëvotimeve. Sqarimi i kësaj situate përmes vetëm një përgjigje të tillë nga ana e KQZ nuk është e mjaftueshme për të shuar të gjitha dyshimet e ngritura dhe cenon rëndë integritetin, profesionalizmin dhe paanshmërinë e KQZ. Për më tepër, komunikata e KQZ, që përdor përgjigjen e “CETIS” si arsyetim, nuk është miratuar si qëndrim i KQZ por është shpërndarë nga Sekretariati, që ka vetëm rol mbështetës. Andaj, edhe lidhur me këtë duhet ofruar sqarim nga KQZ si organ kolegjial.”

IKD shton se “reagimi i KQZ duke deleguar përgjegjësinë tek një kompani private është abstenim nga ushtrimi i kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, si dhe përpjekje për të ikur nga përgjegjësia”.

IKD thotë se “dyshimet e ngritura nuk mund të mbulohen vetëm nga përgjigja e një kompanie private, por duhet të ketë hetim të mirëfilltë penal në lidhje me gjithë procesin e votimit, duke përdorur metodat adekuate shkencore për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me një gabim teknik, që nuk ka ndikuar në rezultat, apo me ndonjë formë të manipulimit të vullnetit të qytetarëve”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi shton se prokuroria në Mitrovicë “vetëm ka noterizuar qasjen e KQZ, duke abstenuar nga detyrimet e saja për hetim të mirëfilltë penal për dyshimet e ngritura për kryerje të veprave penale”.

“Duke mos paragjykuar rezultatet apo fajësinë e ndonjë pale, IKD vlerëson se dyshimet e ngritura në publik lidhur me manipulimet me fletëvotime në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duhet t’i nënshtrohen një hetimi të mirëfilltë penal, i cili u jep përgjigje të gjitha këtyre dyshimeve të ngritura në publik.”

IKD rekomandon që me rastin të merret një prokurori tjetër.

“Në drejtim të ngritjes së efikasitetit dhe profesionalizmit në trajtimin e këtij rasti, IKD i rekomandon Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që në përputhje me nenin 20.2. të Ligjit nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit, këtë rast ta merr nën juridiksion apo ta transferojë në një prokurori tjetër. Kjo në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i një hetimi të mirëfilltë penal dhe të njoftohet me kohë publiku në lidhje me të gjitha rezultatet e hetimit. Në të kundërtën, nëse këto dyshime mbesin të patrajtuara, Kosova rrezikon të pësojë regres në organizimin e zgjedhjeve të rregullta, si bazament i demokracisë dhe qytetarët të humbin besimin në proceset zgjedhore.”