SBASHK-u përkrah protestën e Sindikatës së punëtorëve të RTK-së
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe të gjithë punëtorët e këtij mediumi publik, të cilët përmes dialogut e veprimeve sindikale po kërkojnë një të drejtë themelore – sigurimin e pagave të tyre të merituara. Sipas…
Lajme
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe të gjithë punëtorët e këtij mediumi publik, të cilët përmes dialogut e veprimeve sindikale po kërkojnë një të drejtë themelore – sigurimin e pagave të tyre të merituara.
Sipas njoftimit, SBASHK-u ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar në RTK dhe shpreh shqetësimin e thellë për faktin se më 12 nëntor 2025, punëtorët e RTK-së ende nuk kanë marrë pagat e muajit tetor. Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të punëtorit.
“SBASHK-u i bën thirrje urgjente Qeverisë në detyrë që të gjejë menjëherë zgjidhje dhe të alokojë mjetet e nevojshme për pagesën e pagave, jo vetëm për muajin tetor, por edhe për muajt në vijim, në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i RTK-së dhe mirëqenia e punëtorëve të saj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, SBASHK-u shpreh indinjatën e thellë ndaj çdo forme presioni që, sipas raportimeve, po ushtrohet mbi punëtorët e RTK-së. U bëjmë apel drejtuesve të këtij institucioni publik që të ndalojnë menjëherë çdo presion ndaj të punësuarve dhe të bëhen zëri i tyre për kërkesën më bazike – pagën për punën e ndershme që kryejnë çdo ditë në shërbim të publikut.
“Në shenjë solidariteti e përkrahjeje sindikale, Kryesia e SBASHK-ut do të marrë pjesë në protestën e nesërme të organizuar nga Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, SBASHK-u nuk përjashton mundësinë që, nëse kjo situatë vazhdon, të mobilizojë të gjithë anëtarësinë e saj – nga çerdhet e deri në universitete – për t’u solidarizuar me kolegët e RTK-së, sepse solidariteti ndërmjet punëtorëve është shtylla më e fortë e lëvizjes sindikale.
Në fund thuhet se SBASHK-u do të jetë gjithmonë në krah të çdo punëtori që lufton për dinjitetin dhe të drejtën e tij.
Ndryshe, nesër (e enjte) në orën 11:15, para objektit të RTK-1, zhvillohet protesta e dytë me radhë e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) për shkak të pagave, ku punëtorët e transmetuesit publik nuk i kanë marrë ende pagat e muajit tetor.