Kërçeli për Abdixhikun: Dinjitet është të mos e shesësh trashëgimin e Rugovës për një vend në tavolinë
Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli ka reaguar ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut i cili tha se “po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare”. Në lidhje me këtë, Kërçeli ka pyetur se si e përkufizon dinjitetin “kujdestari”…
Lajme
Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli ka reaguar ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut i cili tha se “po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare”.
Në lidhje me këtë, Kërçeli ka pyetur se si e përkufizon dinjitetin “kujdestari” i LDK-së.
“Për gjeneratën e re të politikës “me kostum e kalkulim”, dinjitet qenka të kërkosh qeveri teknike nga vendi i tretë, duke ëndërruar karrigen e kryeministrit, edhe pse vlerësimi qytetar të ka lënë aty-aty me kandidatin e pestë të fituesit të zgjedhjeve. Kur Lumir Abdixhiku flet për “dinjitet”, fjalët ndalen për pak. Sepse s’dihet nëse flet ai që dikur premtonte ringritje, apo ai që e zbriti LDK-në në pikën më të ulët të historisë së saj”, ka shkruar Kërçeli.
Ai ka thënë për Abdixhikun se është kryetar pa vizion, pa asnjë fitore por me plot leksione për të tjerët.
“Dinjiteti nuk matet në studio televizive, por në vendime. Dinjitet është të mos e katandisësh LDK-në në shtojcë të tri katër partive të tjera, të mos e shesësh trashëgiminë e Rugovës për një vend në tavolinë, dhe të mos e fshehësh dështimin pas analizave boshe. Sepse në fund të ditës, dinjitetin s’e mat dot ai që e ka humbur prej kohësh”, ka shkruar Kërçeli në Facebook. /Lajmi.net/