Procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë u përcoll me probleme, njëherë u ndërpre pasi u dyshua për vjedhje votash, e pastaj rifilloi – Gjithçka që ndodhi

Zgjedhjet lokale në Kosovë, në të dy rastet është raportuar se janë zhvilluar pa probleme dhe pa ndonjë incident të madh. Por, pas përfundimit të këtij procesi të votimit, dhe gjatë verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit, janë hasur disa fletëvotime me numra serikë që nuk i përkasin vendvotimit. Këto fletëvotime kanë krijuar…

Lajme

12/11/2025 08:20

Zgjedhjet lokale në Kosovë, në të dy rastet është raportuar se janë zhvilluar pa probleme dhe pa ndonjë incident të madh.

Por, pas përfundimit të këtij procesi të votimit, dhe gjatë verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit, janë hasur disa fletëvotime me numra serikë që nuk i përkasin vendvotimit.

Këto fletëvotime kanë krijuar dyshime për vjedhje votash, prandaj edhe është kërkuar hetim nga Prokuroria, shkruan lajmi.net.

Këto dyshime i ka ngritur fillimisht deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i cili të hënën tha se Albin Kurti ka bërë “fabrikim shtetëror të rezultatit” në Mitrovicë.

“Në këto pesë vjet, Kurti e ka suspenduar logjikën dhe e ka zëvendësuar me inat, përçarje e urrejtje. Zgjedhjet lokale janë reflektim i kësaj urrejtjeje që ka ndjellë”, ka deklaruar Behrami.

Sipas tij, në Mitrovicë janë përdorur të gjitha mjetet shtetërore dhe madje edhe grupe të nëntokës për të fabrikuar një fitore të rreme. “Në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar, aty ka pasur tren qeveritar”, tha ai, duke paralajmëruar se kjo mund të shndërrohet në “skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës”.

Behrami pretendoi të hënën se në shumë vendvotime janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt dhe të përziera ndërmjet klasave, çka sipas tij tregon për trafikim votash dhe ndërhyrje sistematike në proces

Ai u bëri thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë, organizatave joqeveritare dhe mediave që ta monitorojnë me kujdes numërimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Mitrovicë.

Pak orë pas mesnate, Prokuroria Themelore në Mitrovicë mori vendim që të ndërpritet procesi i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në Komunën e Mitrovicës

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën  Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës”.

Në njoftim thuhet se kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.

“Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”.

Pas kësaj, kanë ardhur reagime të shumta si nga PDK ashtu edhe nga LVV, ku këta të fundit në vazhdimësi kanë kundërshtuar ndalimin e këtij procesi.

Dje, KQZ ka thënë përmes një komunikate për media, se kompania e cila ka fituar tenderin për t’i shtypur këto fletëvotime  përmes një njoftimi zyrtar ka thënë se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Sipas njoftimit, hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes, transmeton lajmi.net.

Kompania që ishte kontraktuar për shtypjen e këtyre fletëvotimeve, “Cetis” thekson se merr përgjegjësinë e plotë për këtë gabim teknik, duke thënë se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre, transmeton lajmi.net.

Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Menjëherë pas këtij njoftimi, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rifilloj procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë të Jugut.

Prokuroria ka thënë se ky urdhër ka ardhur pasi kompania “CETIS”, ka sqaruar se problemi i numërimit ka ndodhur ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, dhe kanë thënë se marrin përgjegjësi për këtë gabim, e që sipas tyre, në rrethana normale do të ishte i pamundur të ndodhte.

“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Dje përmes një konference për media, PDK ka kërkuar rivotim në Mitrovicë të Jugut për shkak të dyshimeve për parregullsi në procesin e votimit në këtë komunë. Dje gjatë rinumërimit të fletëvotimeve në QKN në Mitrovicë, janë hasur fletëvotime me numra serik që nuk i përkisnin vendvotimit.

Deputeti i PDK-së, Perparim Gruda përmes një konference për media ka deklaruar se edhe nëse do të ishte gabim teknik, ky problem duhet të sanohet, dhe sanimi i vetëm është rivotimi në Komunën e Mitrovicës.

Se vetëm rivotimi mund të sanoj këtë problem, ka deklaruar dje edhe kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor ka humbur integritetin dhe besueshmërinë, për shkak të një sërë parregullsish që, sipas tij, e cenojnë rëndë legjitimitetin e rezultatit.

Tahiri ka thënë se procesi i zhvilluar më 9 nëntor nuk mund të konsiderohet i drejtë e transparent, duke përmendur raste konkrete të fletëvotimeve pa vulë, me dy vula, dhe indikatorë të tjerë që sipas tij dëshmojnë manipulim të procesit.

“Vetëm rivotimi e krijon legjitimitetin dhe e kthen integritetin e besueshmërisë në institucionit e Komunës së Mitrovicës. Pra, vetëm rivotimi është forma e vetme. Për shkak që ka mjaftueshëm argumente se ka humbur integriteti i procesit të votimit. Ka gjithashtu fletëvotime pa vulë, me dy vula. Ka mjaftueshëm indikatorë edhe faktikë edhe logjik, që ky proces nuk e ka integritetin. Nuk ndjej keqardhje për rezultatin tim, ndjej keqardhje për vlerat e demokracisë dhe për qytetarët e Mitrovicës”, ka thënë Tahiri në Debat Plus.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.47% të votave (17,837 vota), ndërsa Tahiri ka marrë 46.53% (15,522 vota).

Procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë, pritet të përfundoj sot, ndërsa i njëjti ka përfunduar në 17 komunat e tjera që kanë qenë në balotazh. /Lajmi.net