Qosja kujton Nanon: Ndërtoi lirinë e shtetit përmes arsyes socialiste dhe demokratike

Akademiku dhe shkrimtari i njohur Rexhep Qosja ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë të gjithanshme të politikës dhe kulturës shqiptare. Në reagimin e tij, Qosja shprehet se lajmi për vdekjen e Nanos i ka sjellë “një trishtim të heshtur”, por edhe…

Lajme

02/11/2025 10:23

Akademiku dhe shkrimtari i njohur Rexhep Qosja ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë të gjithanshme të politikës dhe kulturës shqiptare.

Në reagimin e tij, Qosja shprehet se lajmi për vdekjen e Nanos i ka sjellë “një trishtim të heshtur”, por edhe kujtimin e një kohe që shënoi zhvillimin e shtetit shqiptar drejt vetëdijes së tij politike.

“Fatos Nano ishte një nga figurat më të gjithanshme të jetës publike shqiptare — politikan me kulturë të gjerë, polemist me mendim të vendosur që nuk i fshihte as pasionin, as kontradiktat e veta,”, ka shkruar Qosja nw Facebook.

Ai vlerëson se Nano do të kujtohet si njeriu që përpiqej të krijonte një raport të ri midis socializmit dhe demokracisë, traditës dhe modernitetit, dhe njeriut të lirë dhe shtetit të përgjegjshëm.

“Sot, me largimin e tij, mbyllet një kapitull i gjithanshëm e i gjatë i shndërrimeve në jetën tonë historike – i njerëzve që e nisën politikën si mision,” – ka shkruar Qosja.

Qosja shton se Fatos Nano do të mbetet “shëmbëlltyra e një kohe” ku përpiqej të ndërtonte lirinë e shtetit përmes arsyes socialiste, demokratike dhe gjithëkombëtare.