Vlora Çitaku pas deklaratave të Kurtit: Kërcënoi hapur qytetarët, por më 9 nëntor populli do t’i përgjigjet

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës për balotazhin e 9 nëntorit. Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku e ka quajtur “skandaloze” deklaratën e Kurtit, ku ky i fundit u tha…

Lajme

01/11/2025 21:49

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës për balotazhin e 9 nëntorit.

Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku e ka quajtur “skandaloze” deklaratën e Kurtit, ku ky i fundit u tha qytetarëve se komunat që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje nuk do të përfitojnë nga investimet qeveritare, transmeton lajmi.net.

“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, ky nuk është vetëm një gabim politik, por “vazhdimësi e mënyrës së qeverisjes” së Kurtit, i cili sipas saj ka ndëshkuar komuna për arsye partiake.

“Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës. E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë”, ka shkruar ajo.

Në fund, Çitaku tha se më 9 nëntor, në ditën e balotazhit, qytetarët do t’i japin përgjigjen Kurtit në mënyrën më të mirë demokratike: me votë.

“Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K, ti fole sonte. Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet”, përfundoi ajo./lajmi.net/