“Nuk e jap buxhetin për ata kryetarë…” – Rama reagon për kërcënimet e Kurtit ndaj qytetarëve: Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik

Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për mandatin e dytë, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të bëra sot gjatë hapjes së fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka quajtur fjalimin e Kurtit “kërcënim të hapur…

Lajme

01/11/2025 21:27

Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për mandatin e dytë, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të bëra sot gjatë hapjes së fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka quajtur fjalimin e Kurtit “kërcënim të hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës”, duke e akuzuar atë për përdorim të buxhetit të shtetit në funksion të interesave elektorale.

“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie – janë pronë e popullit të Kosovës,” ka shkruar Rama.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën tha se “Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral, duke u përpjekur ta blejë vullnetin e njerëzve me para publike”.

“Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik. Si kryetar i Prishtinës, nuk do të hesht përballë një mentaliteti autokratik që kërkon t’i ndajë qytetarët në ‘tanët’ dhe ‘të tjerët’,” shtoi ai.

Rama theksoi se zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme dhe përfshirja e barabartë e të gjithë qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake, sepse zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme. Kushdo që e përdor buxhetin e shtetit për të ndëshkuar apo shpërblyer votues, e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr,” përfundoi Rama.

Ky reagim vjen pas deklaratës së kryeministrit Kurti, i cili në hapjen e fushatës së balotazhit në Prishtinë kërcënoi qytetarët dhe kundërshtarët e kandidatëve të VV-së duke thënë: “Pse mos të vijnë edhe në komuna tjera investime dhjetëra milionëshe? Mendoni mirë qytetarë, zgjidhni kryetarin e duhur dhe që ju duhet. Ne kemi premtuar dhe do ta mbajm fjalën, 1 miliard euro investime për komunat, por ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetar që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk e duan punën, asa ata që dinë e duan të vjedhin, me ata nuk ka investime as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës.”, tha ai.

Balotazhi për kryetar të Prishtinës do të mbahet më 9 nëntor 2025, ku përballen Përparim Rama (LDK) dhe Hajrulla Çeku (VV)./lajmi.net/