Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Të dielën Prishtina flet e para, dritë do të ketë – nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili sot e hapi fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka shkruar se java e balotazhit do të jetë vendimtare për Prishtinën…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili sot e hapi fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka shkruar se java e balotazhit do të jetë vendimtare për Prishtinën dhe për Kosovën, duke ironizuar me Kurtin, të cilin e quajti “kryepopullist”, transmeton lajmi.net.
“Nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë. Nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd. Me një panoramë Kryeqyteti, i cili po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit,” shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se të dielën, më 9 nëntor, “Prishtina do të flasë e para” dhe do t’i japë partisë së tij besimin për të vazhduar qeverisjen në kryeqytet.
“Le t’i japim përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokimit e kërcënimit për bllokim nuk ofron asgjë.
Të dielën, me 9 nëntor, Prishtina flet e para! Të dielën me 9 nëntor Kryeqyteti i jep LDK-së atë që s’mund t’ia ndalin popullistët kurrë: besimin! Si triumf i kohës, si etapë e re për gjithë Kosovën. Dritë do të ketë!” përfundoi Abdixhiku.
Reagimi i tij vjen pas deklaratave të Albin Kurtit në hapje të fushatës së balotazhit, ku ai ftoi qytetarët e Prishtinës ta votojnë Hajrulla Çekun, ministrin në detyrë të Kulturës dhe kandidatin e VV-së për kryetar të kryeqytetit.
“Ju ftoj ta votoni Hajrulla Çekun, ministrin më të suksesshëm, i cili po vjen me një mision të veçantë në kryeqytet. Me Hajren kryetar, në kohë rekorde, do të japim mbështetjen për unazën e jashtme të qytetit dhe puna do të fillojë brenda pak muajsh,” tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët duhet “të votojnë për atë parti që në nivelin qendror i ka rritur pagat, pensionet dhe bursat për studentët, si dhe shtesat për fëmijët”, ndërsa kërcënoi se investimet qeveritare do të fokusohen në komunat që “dinë dhe duan të punojnë mirë”, duke aluduar se nuk do t’i mbështet kryetarët që s’janë nga partia e tij.
Balotazhi për kryetar të Prishtinës do të mbahet më 9 nëntor 2025, ku përballen kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual i komunës, Përparim Rama, dhe kandidati i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku./lajmi.net/