“Ky është heroi, ky e bëri këtë të mundur” – Kështu e kishte prezantuar Thaçin para nipave të tij Wesley Clark
Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë dhe arkitekti i fushatës 78-ditore të bombardimeve kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Clark pritet të dëshmojë në favor të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili në qershor të vitit 2019 e…
Lajme
Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë dhe arkitekti i fushatës 78-ditore të bombardimeve kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Clark pritet të dëshmojë në favor të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili në qershor të vitit 2019 e kishte pritur në Prishtinë me nderimet më të larta shtetërore, duke e dekoruar me “Urdhrin e Lirisë”, transmeton lajmi.net.
Në atë vizitë përvjetore të çlirimit të Kosovës, Clark kishte ardhur bashkë me bashkëshorten dhe nipat e tij. Në sheshin “Ibrahim Rugova”, Thaçi e kishte pritur vetë personalisht, duke i uruar mirëseardhje me fjalët “Mirë se vjen gjeneral, mirë se vjen!”.
Në një moment që është bërë pjesë e kujtesës publike, Clark u kishte thënë nipave të tij duke ia prezantuar Thaçin:
“Presidenti Thaçi, ky është heroi, ky e bëri këtë të mundur. Ishte shumë i ri, kishte një ëndërr, luftoi për të dhe e bëri.”
Por Thaçi, me modesti, i ishte përgjigjur duke thënë: “Heroi i Kosovës është Wesley Clark.”
Tash, gjenerali amerikan që ndihmoi Kosovën të çlirohej nga regjimi serb, do të dëshmojë përpara Dhomave të Specializuara në mbrojtje të ish-udhëheqësve të UÇK-së – mes tyre edhe Hashim Thaçit./lajmi.net/