Balotazhi në Mitrovicën e Jugut: Partia Demokratike Turke e Kosovës lë të hapura opsionet për mbështetje

Bartësi i listës për Asamble të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Mitrovicën e Jugut, Ergin Kani, ka folur për lajmi.net lidhur me balotazhin që do të zhvillohet më 9 nëntor, mes kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri. “Ne jemi të hapur për të gjithë…

Lajme

24/10/2025 10:05

Bartësi i listës për Asamble të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Mitrovicën e Jugut, Ergin Kani, ka folur për lajmi.net lidhur me balotazhin që do të zhvillohet më 9 nëntor, mes kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.

“Ne jemi të hapur për të gjithë subjektet politike. Jemi në bisedime dhe, në rast se vendosim të përkrahim ndonjë subjekt politik, do të bëhet publike,” ka deklaruar Kani.

Në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, rezultati mes dy kandidatëve kryesorë ishte jashtëzakonisht i ngushtë:

  • Faton Peci (LVV): 47.94% – 15,830 vota

  • Arian Tahiri (PDK): 47.57% – 15,708 vota

Diferenca mes tyre është vetëm 122 vota, çka e bën balotazhin në Mitrovicën e Jugut një nga më të ngushtit në vend.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gëzim Plakolli, i cili në garën e 12 tetorit mori 1,225 vota (3.71%), tha për lajmi.net para dy ditësh se ende nuk kanë vendosur për ndonjë qëndrim rreth raundit të dytë.

“Ende është herët të flitet për këtë temë. Së pari presim rezultatet dhe certifikimin e rezultateve, pastaj ulemi dhe vendosim si ia bëjmë,” kishte deklaruar Plakolli.

Nga ana tjetër, kandidati i AAK-së, Qazim Nimani, i cili mori 255 vota (0.77%), nuk ka dhënë përgjigje deri më tani në lidhje me qëndrimin e tij për balotazhin.

Në garën për Asamble komunale, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka marrë 265 vota, që përbëjnë 0.86% të votave të përgjithshme në Mitrovicën e Jugut — një rezultat që, ndonëse i vogël, mund të jetë vendimtar në një garë kaq të ngushtë mes Vetëvendosjes dhe PDK-së./lajmi.net/