DnV: Proces i votimit, i qetë dhe demokratik

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoroi procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), tha se procesi ishte i qetë dhe demokratik. Megjithatë, DnV-ja vuri në pah se ka pasur disa parregullsi gjatë votimeve. “Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërmit…

Lajme

12/10/2025 20:00

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoroi procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), tha se procesi ishte i qetë dhe demokratik.

Megjithatë, DnV-ja vuri në pah se ka pasur disa parregullsi gjatë votimeve.

“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërmit e tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në librin e votimit”, tha DnV-ja.

Telashe për votuesit kanë shkaktuar edhe ndryshimi i qendrave të votimit për qytetarët dhe “një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në listën e votuesve”.

“Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh”, tha DnV-ja në një njoftim për media pas mbylljes së vendvotimeve.

Ky koalicion u bëri thirrje komisionerëve që të bëjnë numërimin e votave me përkushtim dhe partive politike që me qetësi t’i presin rezultatet zyrtare.