A u bë Universiteti i Prishtinës “tempull i fushatës”? – Kurti deklarohet pasi mori çmimin: “Fati i Kosovës është i lidhur me fatin e UP-së”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë nderuar me çmimin “Alumni i Nderit” nga Universiteti i Prishtinës, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kjo institucion i arsimit të lartë. Çmimi u dorëzua nga rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, i cili vlerësoi lart kontributin dhe angazhimin e dy liderëve…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë nderuar me çmimin “Alumni i Nderit” nga Universiteti i Prishtinës, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kjo institucion i arsimit të lartë.
Çmimi u dorëzua nga rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, i cili vlerësoi lart kontributin dhe angazhimin e dy liderëve shtetërorë, të cilët kanë qenë dikur studentë të këtij universiteti. “Pavarësisht agjendave të ngarkuara, ata gjetën kohë për të qenë këtu – ky është një sinjal i fuqishëm për rëndësinë që ata i japin Universitetit të Prishtinës,” u shpreh Hajrullahu, transmeton lajmi.net.
Rektori theksoi se UP-ja ka nxjerrë figura të rëndësishme kombëtare, dhe se Osmani e Kurti përfaqësojnë denjësisht vlerat që ky institucion kultivon.
Presidentja Osmani, në fjalimin e saj, shprehu emocionet për rikthimin në universitetin ku u formua profesionalisht. “Të rikthehesh si ish-studente dhe të nderohesh nga ky tempull i dijes është një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë,” tha ajo, duke theksuar rolin jetik të arsimit në ndërtimin e shoqërisë.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi këtë çmim si një rikujtim të lidhjes së thellë me të kaluarën dhe përgjegjësinë për të ardhmen e universitetit. “Fati i Kosovës është i pandarë nga fati i Universitetit të Prishtinës. Ky institucion duhet të jetë ndër më të mirët në rajon dhe më gjerë,” u shpreh Kurti, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të investimit në arsim dhe dije./lajmi.net/