Gjenerali gjerman e kishte quajtur Thaçin “si fëmijë pa lodër”, Covey ia kthen: Reinhardt e ka ekzagjeruar, ishte një taktikë për ta kthyer Thaçin në Këshillin Provizor

Gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, një nga figurat kyçe të komandës së KFOR-it gjatë vitit 1999 në Kosovë, ka pasur fjalë të ashpra për Hashim Thaçin në ditarin e tij personal, të cilin e ka lexuar në seancë prokurorja Vega Iodice. Sipas saj, Reinhardt e kishte përshkruar Thaçin si një “fëmijë që nuk i jepet lodra”,…

Lajme

01/10/2025 16:46

Gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, një nga figurat kyçe të komandës së KFOR-it gjatë vitit 1999 në Kosovë, ka pasur fjalë të ashpra për Hashim Thaçin në ditarin e tij personal, të cilin e ka lexuar në seancë prokurorja Vega Iodice.

Sipas saj, Reinhardt e kishte përshkruar Thaçin si një “fëmijë që nuk i jepet lodra”, duke aluduar se ambicia e tij ishte të bëhej President i Kosovës dhe të merrte udhëheqjen politike nën ombrellën e administratës së Bernard Kouchner-it.

Në një nga hyrjet e ditarit të nëntorit 1999, thuhet se Kouchner kishte informuar Reinhardt-in se “Thaçi i ka shpallur luftë atij dhe UNMIK-ut”. Thaçi kishte shprehur pakënaqësinë me mosefikasitetin dhe, sipas gjeneralit, kishte deklaruar se gëzonte mbështetjen e kryeqyteteve të fuqishme si Uashingtoni dhe se do ta bojkotonte UNMIK-un dhe KFOR-in derisa kërkesat e tij të përmbusheshin, transmeton lajmi.net.

Në vazhdim, prokurorja Iodice lexoi se Reinhardt kishte kërkuar një takim urgjent me Thaçin, duke e cilësuar situatën si të pakuptimtë dhe të papranueshme për vazhdimin e bashkëpunimit. Ai përshkruante se më 16 nëntor 1999, Thaçi kishte bojkotuar takimin e Komitetit të Përkohshëm dhe se refuzimi i tij për bashkëpunim përbënte “përbuzje” ndaj këtij institucioni dhe anëtarëve të tij.

Në një pjesë tjetër të ditarit, Reinhardt e kishte krahasuar Thaçin me një fëmijë që sillet keq kur nuk merr lodrën që do, duke shtuar se “lodra” në fjalë ishte Presidenca e Kosovës.

Por këto komente të ashpra nuk mbetën pa kundërpeshë.

Dëshmitari amerikan James Peter Covey, një figurë me ndikim në proceset diplomatike të asaj kohe, deklaroi në gjykatë se gjenerali gjerman ka “ekzagjeruar” dukshëm përshkrimin e tij për Thaçin.

“Me gjithë admirimin që kam për gjeneralin Reinhardt, këtu e ka ekzagjeruar atë çështje. Ishte një taktikë. Thaçi u kthye në Këshillin Provizor pak kohë më pas. Nuk ishte hera e parë që largohej nga ndonjë takim, as i vetmi që e bënte këtë kur ndjente frustrim,” tha Covey.

Ai shtoi se këto lëvizje nuk ishin të pazakonta në atë periudhë të tensionuar dhe se reagimet e tilla shpesh përdoreshin për të treguar seriozitet në qasjen ndaj UNMIK-ut apo për të rritur peshën politike në negociata.

Në një tjetër hyrje ditari të datës 8 dhjetor 1999, Reinhardt shkruante se Thaçi ishte kthyer në Komitet për herë të parë pas 27 tetorit, por që sapo hyri, nisi një “sulm verbal” ndaj UNMIK-ut dhe KFOR-it, me ton gjithnjë e më agresiv. Madje, sipas gjeneralit, Thaçi nuk e hoqi as pallton gjatë fjalës së tij dhe në fund dha ultimatumin për bashkëpunim “vetëm sipas kushteve të tij”.

Reinhardt kishte shtuar se Thaçi, pas kësaj deklarate, “doli me furi nga dhoma si një Prima Donna në një komedi”, duke përfunduar me komentin: “Është për të qeshur, në mos për të qarë.”

Megjithatë, dëshmitari Covey theksoi se pavarësisht toneve dramatike në ditarin e gjeneralit, sjelljet e Thaçit nuk ishin të papritura dhe nuk kishin pasoja afatgjata në rrjedhën e bashkëpunimit.

“Unë mendoj se përshkrimi i Thaçit si një fëmijë i mërzitur në fakt e tregon sesa seriozisht e merrte ai pjesëmarrjen në Këshillin Provizor. Nuk ishte sjellje për t’u habitur në atë kohë”, përfundoi Covey./lajmi.net/