Barduani: Beogradi i di “vijat e kuqe” në Kosovë
Komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, tha se mbyllja e urës në Mitrovicë është politike dhe vendimi për të duhet të merret përmes dialogut në Bruksel. Gjenerali Barduani në fund të mandatit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, flet edhe për zhvillimet e sigurisë në pjesën…

Lajme
Komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, tha se mbyllja e urës në Mitrovicë është politike dhe vendimi për të duhet të merret përmes dialogut në Bruksel.
Gjenerali Barduani në fund të mandatit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, flet edhe për zhvillimet e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe angazhimet e forcës paqeruajtëse në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.
Gjeneral Barduani tha se Serbia i ka të qarta “vijat e kuqe” në Kosovë të cilat sipas tij janë të përcaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai e bëri të qartë se kryesit e sulmit në Banjskë dhe mbi forcat e KFOR-it në 2023 duhet të sillen përpara drejtësisë. “…fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Edhe gjatë mandatit tim, e di gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë në siguri nga ngërçi aktual në dialog, nuk mund ta përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie”, tha në intervistën me RTV21, komandanti i KFOR-it gjenerali Enrico Barduani.
A ia keni bërë të qartë ushtrisë serbe dhe autoriteteve shtetërore cilat janë vijat e kuqe në Kosovë, në takimet tuaja me ta?
Gjeneral Barduani: Po. Më lejoni të theksoj se vijat e kuqe që ju përmendni janë ato të përcaktuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me një referencë të veçantë për marrëdhënien mes KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe. Ato janë të shkruara në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar nga NATO dhe Serbia në 1999. Mund të shtoj se misioni ynë mbetet i përqendruar në kontributin për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo është një përparësia kryesore e KFOR-it. Sigurisht, njësitë tona janë të pranishme në terren me objektivin kryesor të parandalojnë çdo rrezik të madh të eskalimit. Por nëse është e nevojshme, jemi gati të reagojmë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në përputhje me mandatin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne kemi dëshmuar në mënyrë të përsëritur se mund të ofrojmë në këtë drejtim. Forcat e armatosura serbe dhe të gjithë aktorët me të cilët bashkëpunojmë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Vetëm për t’ju ofruar informacione të plota në këtë çështje, bazuar në procedurat ekzistuese që dalin nga marrëveshja teknike ushtarake, Serbia ka detyrimin e qartë të njoftojë përherë KFOR-in për çdo zhvillim të tyre dhe aktivitet operacional pranë vijës kufitare administrative brenda zonës tampon pesë kilometërshe që e quajmë ish-zona e sigurisë tokësore. Kjo ndihmon të parandalohet keqkuptimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Në përgjithësi, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive dhe jam i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit profesional që KFOR-i ka zhvilluar në këtë drejtim.
Për të qenë shumë i qartë, gjeneral: KFOR-i ka trupat e tij në Kosovë, veçanërisht në veri. Autoritetet kosovare po flasin për përqendrimin e trupave serbe në kufi me Kosovën. Nëse kjo është e saktë, atëherë cili është niveli i gatishmërisë së KFOR-it për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm?
Gjeneral Barduani: Pra, së pari, siç thashë, forcat e armatosura serbe duhet të deklarojnë praninë e tyre dhe aktivitetet në këtë kufi administrativ të NATO-s përpara kohe dhe ata gjithmonë kanë respektuar këtë detyrim. Në këtë kuptim, mund të dëshmoj se gjatë mandatit tim, nuk kemi vërejtur ndryshime të dukshme të rëndësishme në praninë dhe qëndrimin e tyre. Së dyti, KFOR-i mban një prani të fortë dhe të dukshme në zonë. Ne vazhdimisht e monitorojmë këtë situatë përmes një game të gjerë aktivitetesh, përfshirë patrullime të rregullta, vëzhgime, gjithashtu zbulime tokësore dhe ajrore dhe kontakte me civilë. Këto masa na lejojnë të ruajmë një njohje të saktë të situatës dhe të identifikojmë menjëherë çdo situatë jonormale ose zhvillim që mund të rrezikojë stabilitetin. Në të njëjtën kohë, siç përmenda, ne mbajmë kontakte të rregullta me forcat e armatosura serbe, sepse komunikimi gjithmonë ndihmon për të parandaluar keqkuptime dhe për të ruajtur stabilitetin. Transparenca, komunikimi dhe bashkëpunimi janë mënyrat më efektive për të parandaluar çdo rrezik eskalimi./Lajmi.net/