Lluga i jep vend nderi Afrim Zhitisë

Në fshatin Llugë të Podujevës, sot u inaugurua shtatorja monumentale e heroit të Kombit Afrim Zhitia, duke përkujtuar sakrificën dhe rolin e tij historik në luftën për liri të Kosovës. I pranishëm në këtë ceremoni të inaugurimit ishte edhe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe mënyrave institucionale për…

Lajme

19/09/2025 15:11

Në fshatin Llugë të Podujevës, sot u inaugurua shtatorja monumentale e heroit të Kombit Afrim Zhitia, duke përkujtuar sakrificën dhe rolin e tij historik në luftën për liri të Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni të inaugurimit ishte edhe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe mënyrave institucionale për ruajtjen e historisë së dëshmorëve të lirisë. Ai në fjalimin e tij, tha se shtatorja e Afrim Zhitisë është një vepër publike arti që monumentalizon figurën e tij historike, por se nevoja për studime të thelluara dhe botime shkencore për historinë e heronjve tanë mbetet e madhe.

“Obeliskut të përtërirë këtu sot po i shtohet edhe një skulpturë si një vepër monumentale, publike e komemurimit të Afrim Zhitisë, djalit të këtij fshati të Llapit, dhe heroit të lirisë së Kosovës…Shtatorja e Afrim Zhitisë këtu në Llugë e monumentalizon figurën e tij historike në një vepër publike arti. Por, që të plotësohet e tëra infrastruktura kulturore e bartjes ndër gjenerata të historisë së Afrim Zhitisë, dhe Fahri Fazliut, sikurse edhe historisë së Bahri Fazliut, Agron Rrahmanit, historisë së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe dëshmorëve të tjerë, shokëve të tyre luftëtarë kemi nevojë edhe për më shumë studime të thelluara, dhe më shumë botime shkencore. Për vepra të shkruara kemi nevojë, sepse e shkruar është natyra e historisë, ku ata përkasin si subjekte dhe personalitete. Dëshmorët janë dëshmi që burimi i çlirimit dhe faktori vendimtar është vet populli prej të cilit vimë dhe të cilit duhet t’i shërbejmë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e cilësoi këtë ditë si një ditë të veçantë për komunën dhe përkujtoi Afrim Zhitinë si më shumë se një emër, por si një ideal dhe shembull të qëndresës shqiptare.

“Sot kur përkujtojmë Afrimin ne nuk nderojmë vetëm një emër, por një ideal, një mënyrë jetese, një shembull të qëndresës shqiptare…Kjo shtatore është amanet të mos harrojmë historinë, të mos lejojmë që gënjeshtrat të zbehin sakrificën, të ndërtojmë një shoqëri ku liria, barazia dhe drejtësia janë vlera të prekshme, në jetën e përditshme të edukojmë fëmijët tanë me vlera që përfaqësuan Afrimi e Fahriu”, tha ai.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka përkujtuar Afrim Zhitisë si kryeredaktorin e lajmëtarit të lirisë dhe organizatorin që i dha frymë Lëvizjes Kombëtare.

“Sot po ngritët shtatorja e Afrim Zhitisë kryeredaktorit të lajmëtarit të lirisë. Sot po ngritet shtatorja e Afrim Zhitisë, organizatorit dhe ideatorit të parë që rezistencën nga ajo në rrugë të shndërrojmë në rezistencë reciprociteti, me forcë t’i përgjigjemi pushtuesit…Afrim Zhitia është organizator, që i dha frymë Lëvizjes tonë kombëtare dhe më të drejtë institucionet e Kosovës e kanë ngrit në hero kombëtar”, tha ai.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi rëndësinë e figurës së Afrim Zhitisë dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët përfaqësuan brezin e rezistencës ndaj regjimeve jugosllave të Titos dhe Millosheviqit.

“Dua të veçoj Afrim Zhitinë, në këtë rast kjo vlen edhe për bashkëluftonin e tij të asaj dite, për shkak se këta i takonin një brezi që angazhimin e vet e kishin kombëtar, të rezistencës, të mosbindjes ndaj ish-Jugosllavisë, për ndarje nga ish-Jugosllavia, në një mënyrë ishin ai perëndimi i lëvizjeve shqiptare, por që Jugosllavia i burgoste sa herë donte. Kemi qindra mijëra shqiptarë të burgosur nga regjimi i Titos më herët, e pastaj edhe i Millosheviqit. Për ne që ishim edhe më të rinj se Afrimi, mospranimi që të vazhdojë praktika që sa herë dëshiron pushtuesi t’i kap shqiptarët, t’i prangos, gjatë periudhës së tyre sa kane qenë të burgosur, nuk kanë qenë vetëm vuajtjet e tyre që janë burgosur, por kanë qenë të familjes, gjithë rrethit e mos të flasim për pasojat tjera. Ky akt i rezistencës në një kohë të hershme, në vitin 1989 e ka përshpejtuar në një mënyrë atë që ndodhi në Prekaz më vonë, me komandantin legjendar, Adem Jashari të gjitha përpara, se ka zhvillime tjera, por atë që pasoi deri në lirinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Në emër të familjes, Sadete Zhitia përshkroi një rrugëtim të gjatë për rikthimin e Afrimit në vendlindje, duke e cilësuar këtë si një fitore simbolike dhe historike për Kosovën.

“Është dashur një udhëtim i gjatë, shumë i gjatë që Afrimi të kthehej këtu, në shtëpinë e tij, në vendin ku nisi rrugëtimi i tij për liri. Ky kthim pikërisht tani, duket si një rikthim fitimtar, pas betejave të vështira, historia duket se e ka lidhur ardhjen e tij me bashkimin e Mitrovicës, me shtrirjen e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, me forcimin e e ushtrisë sonë, që sot udhëhiqet nga Bashkim Jashari, djali i bacit Rifat, a nuk është kjo një fitore? A nuk është kjo një rastësi e bukur, jo thjesht simbolike, por një dëshmi e vazhdimësisë së punës së tyre që i dhanë emër lirisë me gjakun e tyre. Dhe këtij fakti i gëzohet secili prej nesh…Nganjëherë i kujtoj edhe fjalët e tij kur thoshte, unë jetoj për lirinë, nëse puna ime nuk mjafton ë të jemi të lirë, jap edhe jetën, liria nuk është dhuratë, është detyrë e vazhdueshme e pashmangshme derisa të largohet çdo rrënjë që e helmona të. Dhe kësaj detyre Afrimi iu përkushtua me nder, ai nuk kërkoi lavdi, as portret në përmendore, ra për ne, për ju, për njeriun që ecjen e lirë në ketë vend, për nënat dhe baballarët që të mos kenë frikë që do ju vriten fëmijët ndër duar, për vajzat dhe djemtë që të mos jetojnë me kurriz të përkulur. Afrimit dhe gjithë heronjve mos ua kujtoni vetëm emrin, misionin, angazhimin, luftën, se liria që gëzojmë është fryt i sakrificës së tyre”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ideatori i obeliskut, Ismet Sylejamni ka thënë se historia e biografisë së jetës dhe veprës heroit kombit, Afrim Zhitia duhet të dihet nga të gjithë.