Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Vushtrri
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej muaji ndaj të pandehurit R.D., i dyshuar për “Krime lufte kundër popullatës civile”. Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej muaji ndaj të pandehurit R.D., i dyshuar për “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin R.D., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
“Ekziston dyshimi dyshimi i bazuar se me datë 22.05.1999 gjatë periudhës së luftës në Kosovë forcat serbe kishin ndërmarr një ofensivë në Vushtrri, ndërsa i pandehuri R.D. kishte marrë pjesë në cilësinë e pjesëtarit të policisë serbe në kryerjen e veprimeve të rrahjes, plaçkitjes së pasurisë dhe vrasjes së civilëve, e që në thelb janë veprime me të cilat plotësohen elementet e figurës së veprës penale Krim i luftës kundër popullatës civile”, thuhet në njoftim.
Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
“Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.D. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale”, njofton Gjykata.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.