“Një hap prapa për aspiratat e Kosovës” – Oda Ekonomike Amerikane e shqetësuar për pezullimin e Dialogut Strategjik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj njoftimit të sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të madh prapa për vendin. Në një deklaratë për media, Oda vlerëson se kjo nismë ka pasur…

Lajme

12/09/2025 16:17

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj njoftimit të sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të madh prapa për vendin.

Në një deklaratë për media, Oda vlerëson se kjo nismë ka pasur rëndësi të veçantë për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës, dhe thekson se pezullimi i saj përbën një goditje serioze në një moment tejet të ndjeshëm për vendin, raporton lajmi.net

“Pezullimi i kësaj nisme të rëndësisë strategjike për Kosovën, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës,” thuhet në reagimin e Odës.

Organizata i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ajo thekson se SHBA-të mbeten mbështetësi dhe partneri më i madh i Kosovës, dhe kjo duhet të reflektohet qartë në politikat dhe vendimet e institucioneve shtetërore.

“Në këtë moment vendimtar, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj,” thuhet më tej në deklaratë.

Oda Ekonomike Amerikane thekson se vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv me aleatët ndërkombëtarë, Kosova mund të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm, të zhbllokojë mundësitë për zhvillim ekonomik dhe të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve të saj.

“Vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët tanë më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitetin, të debllokojë mundësitë ekonomike, si dhe të sigurojë mirëqenie afatgjate për qytetarët e saj.”

Në përfundim, Oda riafirmon përkushtimin e saj për avancimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe jopolitikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun./Lajmi.net/