Aksioni i Prokurorisë së Pejës u zhvillua në 20 lokacione: Mbyllen 7 vendpunime

Prokuroria Themelore në Pejë, me vetiniciativë pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar aksion në 20 lokacione, përkatësisht në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, nën asistencën e Inspektoratit të Punës, në punimet e banesave kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve për shëndetin dhe jetën e tyre në…

Lajme

05/09/2025 20:11

Prokuroria Themelore në Pejë, me vetiniciativë pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar aksion në 20 lokacione, përkatësisht në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, nën asistencën e Inspektoratit të Punës, në punimet e banesave kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve për shëndetin dhe jetën e tyre në vendin e punës nga kompanitë kontraktuese për kryerjen e punimeve.

Ky aksion i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj dhe nën mbështetjen e nëntë prokurorëve të shtetit, 60 zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka rezultuar në të gjitha kontrollet me parregullsi për sigurinë e punëtorëve në vendin e punës dhe jetën e qytetarëve tjerë.

Nga ky aksion gjithëpërfshirës, me autorizimet e prokurorit të shtetit janë shoqëruar në stacionet policore personat përgjegjës të kompanive kontraktuese dhe si rrjedhojë janë mbyllur shtatë vend punime, dy në qytetin e Pejës, 3 në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan.

Gjithashtu, në raste ku ka pasur elemente të veprave penale janë iniciuar raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”.

Përveç kësaj, janë njoftuar edhe institucionet relevante për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe përpilimin e raporteve lidhur me lejet e këtyre objekteve, punime të kundërligjshme si dhe veprat tjera eventuale, për të cilat këto institucione duhet përpilojnë raporte për të gjeturat në këto ndërtime kolektive për t’i deponuar në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Vlen të potencohet fakti se në Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë periudhës gjashtë mujore janar- qershor 2025, janë pranuar gjithsej nëntëmbëdhjetë raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës “, ku për fat të keq tre punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kurse në 16 raste tjera kanë pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e tyre të punës.

Prokuroria Themelore e Pejës, mbetet e përkushtuar për sigurinë e secilit punëtor dhe qytetarë që mund ti rrezikohet shëndeti apo jeta në çfarë do forme.