Mosvotimi i nënkryetarit serb, Krasniqi: Forma e votimit është jokushtetuese, Kurti po tenton me ble kohë për afatin kushtetues për Qeveri
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar para mediave sot pas dështimit të seancës së radhës për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se ndonëse PDK e ka mbajtur zotimin publik për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës, LVV po e vazhdon bllokadën, shkruan lajmi.net. “Normalisht që sikur para dy ditëve…

Lajme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar para mediave sot pas dështimit të seancës së radhës për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se ndonëse PDK e ka mbajtur zotimin publik për zhbllokimin e Kuvendit të Kosovës, LVV po e vazhdon bllokadën, shkruan lajmi.net.
“Normalisht që sikur para dy ditëve edhe sot, këtu ka një tentim që të mos shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit, por ajo që po më befason dhe nuk e kam dit që do ta pres ta shoh, është fakti që krejt LVV prej Albin Kurtit e deri te deputeti i fundit, me kaq entuziazëm e kaq dinamizëm e vullnet, po angazhohen me e bë nënkryetar një përfaqësues të komunitetit serb, e nëse e krahasoj shumë më pak janë angazhu për Dimal Bashën e Albulena Haxhiun”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se abstenimi i tyre po vjen pasi që mënyra e votimit është jokushtetuese.
“Asgjë e re për LVV, në këta muaj e muaj të fundit, nga 15 prilli kur ka fillu kjo seancë, sjelljen e tyre e ka karakterizu veprimi jokushtetues. Së paku dy herë është dëshmu në Gjykatën Kushtetuese, por efekti politik dhe real është fakti që po vazhdon bllokada e nuk po konstituohet Kuvendi, rrjedhimisht nuk po arrijmë me e fut në afate kushtetuese Albin Kurtin për me e dëshmu atë që e kemi thënë që nga dita e parë, nuk i ka votat”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtruar pyetjen se pse kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e mbylli seancën pikërisht te Nenad Rashiq e jo te një deputet tjetër.
“Është një skenar që është i dukshëm dhe është jokushtetues. Në momentin që është ndarë votimi, ne kemi bërë një hap mbrapa nga mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve në të kaluarën. Ju shpjegova edhe pardje që kishte tendencë ta ndajnë votimin e nënkryetarëve shqiptarë, por u tërhoqën nga ajo ndërsa te komunitetet e vazhduan. Në frymën e aktgjykimit ne po abstenojmë, por nuk kemi as plan as interesim ta dërgojmë këtë lëndë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse ka dikush tjetër është çështje tjetër”, ka shtuar Krasniqi.
Ai është pyetur se a është arsyeja e mosvotimit të tyre për Nenad Rashiqin pasi që ai ka qenë deputet, e këtë Krasniqi e ka mohuar.
“Jo nuk është për atë, e kemi votu edhe Albulena haxhiun sepse ajo përfaqëson partinë e vet, çështja e kryetarit është tjetër. Nuk është arsye personale, unë Rashiqin e njoh shumë herët Ka qenë ministër edhe në Qeveritë e kaluara, ka qenë edhe anëtar i Listës Serbe. Tani i ka ndryshu ndoshta aspekti politik, por ka të bëj me parimin më shumë se me diçka tjetër. Ne abstenojmë për secilin prej tyre, procesi është jokushtetues prej kur është nda. Votimi është jokushtetues, çka prodhon një votim i tillë, një lëndë në Gjykatë Kushtetuese që sjell një vonesë në konstiuimin e Kuvendit dhe afatin kushtetues për formimin e Qeverisë”, ka shtuar Krasniqi.
Këtë situatë, Krasniqi ka thënë se Kurti e ka krijuar pasi po tenton me ble kohë.
“Albin Kurti po tenton me ble kohë, mos me hy me u mat a i ka votat apo nuk i ka sepse këto janë propagandë. Unë besoj se Gjykata nëse ka lëndë me e marr një veprim, me e shty tutje afatin 30 ditësh”, ka thënë ai. /Lajmi.net/