Elezi: Komentet politike për operacionin e FSK-së në Ujman dëmtojnë marrëdhëniet me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë
Njohësi i sigurisë në vend, Bedri Elezi, ka komentuar operacionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në liqenin e Ujmanit, ku ekipet po kërkojnë trupin e një 33-vjeçari që dyshohet të jetë mbytur të dielën në veri të vendit. Në një prononcim dhënë për Lajmi.net, Elezi ka theksuar se operacioni është i ligjshëm, humanitar dhe…

Lajme
Njohësi i sigurisë në vend, Bedri Elezi, ka komentuar operacionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në liqenin e Ujmanit, ku ekipet po kërkojnë trupin e një 33-vjeçari që dyshohet të jetë mbytur të dielën në veri të vendit.
Në një prononcim dhënë për Lajmi.net, Elezi ka theksuar se operacioni është i ligjshëm, humanitar dhe i koordinuar plotësisht me KFOR-in dhe se çdo koment tjetër dëmton rëndë FSK-në si dhe marrëdhënien me partnerët kryesor reaguesin e tretë të sigurisë së Kosovës, KFOR-in.
“Operacioni i FSK-së në veri të Mitrovicës në liqenin e Ujmanit, me rastin e gjetjes së trupit të personit i cili dyshohet se ka humbur jetën në këtë vend është me leje dhe në koordinim me KFOR-in. Çdo komentim tjetër nga përfaqësuesit politik të Kosovës dëmton rëndë FSK-në si dhe marrëdhënien me partnerët kryesor reagusin e tretë të sigurisë së Kosovës, KFOR-in që ka përgjegjësi për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës,” ka thënë Elezi për Lajmi.net.
Ai ka theksuar se komentet politike të pamatura mund të kenë pasoja serioze për rrugën e Kosovës drejt integrimeve ndërkombëtare, veçanërisht në raport me NATO-n dhe SHBA-të.
“Ky operacion është humanitar dhe FSK si edhe në rastet e tjera është e gatshme për t’u përgjigjur të gjitha kërkesave nga autoritetet e sigurisë në këtë rast, Policia e Kosovës për gjetjen e trupit të personit që shpresojmë të jetë i gjallë, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në liqenin e Ujmanit. Autoritetet e Kosovës, me vetëdije apo pavetëdije me këto deklarata dëmtojnë rëndë angazhimet e FSK-së në integrimet siç janë NATO apo strukturat e tjera ndërkombëtare, pasi ashtu i ka mjaft të dëmtuara me faktorin ndërkombëtar e posaçërisht me ShBA-të, si njëri ndër shtetet kryesore të NATO-s e cila përmes KFOR-it zbaton rezolutën 1244 në Kosovë”, tregoi Elezi.
Elezi ka theksuar se operacione të tilla përveç ndihmës humanitare, janë mundësi për FSK-në që të dëshmojë aftësinë operacionale në zona të ndjeshme si veriu i vendit.
“Ky rast mund të konsiderohet i dobishëm për FSK-në për të kryer edhe një aktivitet operativ në një zonë ku më parë për arsye tani më të njohura për të operuar në atë pjesë dhe për të pasur mundësi që të tani personin i cili dyshohet se mund të jetë në zonën e Ujmanit, në pjesën ku përafërsisht Policia e Kosovës dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar”, tha ai.
Në përfundim, Elezi ka kërkuar nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë që të ndalojnë komentet që mund të interpretohen si ndërhyrje apo përfitim politik nga një operacion që është tërësisht teknik dhe humanitar.
“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit politik që të mos komentojnë veprime të tilla, duke i dhënë jehonë në një anë që jo vetëm që dëmton FSK-në por dëmton edhe aktivitetet që lidhen drejtpërdrejt me marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare të sigurisë,” ka përfunduar Elezi.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë jehonë shkuarjes së FSK-së në veri të vendit për një angazhim të saj për të gjetur një trup të pajetë të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është mbytur të dielën pasdite në Liqenin e Ujmanit, në Zubin Potok.
Sipas partisë të parë në vend FSK, ka shkuar për herë të parë në veri të vendit, nën shoqërimin e KFOR-it për të ndihmuar në gjetjen e trupit të pajetë.
“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit. Njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka thënë Maqedonci.
Që nga e diela, personi i cili është raportuar se është hedhur nga ura, po kërkohet nga ekipet e Policisë së Kosovës, ato të kërkim-shpëtimit si dhe njësitet zhytëse.
Deri më tani nuk ka rezultuar në gjetje të asnjë gjurme të tij./Lajmi.net/