Rruga e harruar në Brestoc të Rahovecit rrezikon udhëtarët e banorët
Nisi si çdo rrugë tjetër por përfundimi jo në tërësi i saj, sjell kërcënime për banorët e udhëtarët. Një segment të rrugës rajonale Krushë e Madhe-Rahovec në fshatin Brestoc e ka gllabëruar rrëshqitja e dheut duke e lënë vendin një skenë të rrezikshme që prej vitesh, vazhdon pritjen për një zgjidhje. Në vendin ku ka…

Lajme
Nisi si çdo rrugë tjetër por përfundimi jo në tërësi i saj, sjell kërcënime për banorët e udhëtarët.
Një segment të rrugës rajonale Krushë e Madhe-Rahovec në fshatin Brestoc e ka gllabëruar rrëshqitja e dheut duke e lënë vendin një skenë të rrezikshme që prej vitesh, vazhdon pritjen për një zgjidhje.
Në vendin ku ka rrëshqitur dheu, gjatësia e pjerrtësisë së krijuar është shtatë metra, lartësi poshtë së cilës ka shtëpi e para arritjes aty, shembja nuk duket nga pemët.
Për pasojë, nga kjo rrugë kanë pësuar banorët lokal por edhe udhëtarët që shfrytëzojnë rrugën “Naim Orllati” për të arritur në Krushë.
”Para afro 30 viteve, ka ardh një musafir këtu me familje. Ka rënë poshtë, vet ka shpëtu me t’shoqen e nëna i vdiq. Edhe unë para disa vitesh kam ra vet poshtë, e shkyva kokën, këtu e kam ende shenjën. Vetura u prish po unë shpëtova, s’ka shenja askund këtu, është rrezik”, ka thënë Shaban Berisha, banor i fshatit Brestoc.
Për këtë rrugë, ankesat ishin adresuar në Ministrinë e Infrastrukturës para disa viteve pasi Komuna e Rahovecit, nuk kishte përfillur ankesat e banorëve.
Por pavarësisht kohës, nuk u ofrua zgjidhje e qëndrueshme.
”Duke parë se mund të ndodhë një fatkeqësi, e morra iniciativën që të njoftoj së pari organet komunale. Më thanë se ke ardhur në adresë të gabuar se kjo është rrugë regjionale për ç’ka isha i vetëdijshëm se kam qenë në komision kur u shtru po kryetari tha mbledhi nënshkrimet e dërgoj në ministri. Në tri fshatra mblodha mbi 300 nënshkrime, bëra fotot dhe i dorëzuam në ministri, prita që bëhet diçka. Sa më shpejtë të sanohet sa s’ka ndodhë ndonjë fatkeqësi përndryshe dikur do jetë vonë. S’është kosto e madhe mirëpo do jetë po ndodhi prapë ndonjë fatkeqësi”, ka thënë Emin Berisha, banor i fshatit Brestoc.
Çështjen në komunë e kishte ngritur disa herë njëri nga asamblistët e kuvendit komunal.
Ndonëse komuna ishte treguar dorështrënguar, disa sinjalizues i kishte vendosur dikush tjetër.
”Veprimin e fundit e morri ish-zyrtari Burim Krasniqi, sinjalizimin brenda dy viteve, por asgjë më shumë. Prandaj vazhdohet të ketë rrezik se është rrugë shumë e frekuentuar, javën e fundit patëm incident përsëri”, ka thënë Lirigzon Kastrati, asamblist i LDK-së në Rahovec.
Pa e zgjatur shumë, qëndrim të prerë kanë dhënë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Rahovec duke e larguar përgjegjësinë nga vetja.
”Është rrugë rajonale, i takon Ministrisë. Kemi njoftuar Ministrinë dhe s’ka pasur asnjë veprim, kurrë asnjëherë s’kemi marrë përgjigje. Kemi dërguar ankesë në 2022, 2023, 2024” – Përparim Krasniqi, Drejtori për Shërbime Publike në Rahovec.
Përgjigje për neglizhencën në këtë rast nuk ka dhënë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës nuk ka ofruar për televizionin të dhëna për numrin e saktë të aksidenteve por sipas banorëve, të njëjtat ndodhin së paku 2-3 herë në muaj./dukagjini