Mustafa kritikon Osmanin dhe Kurtin: Katër vite fjalë për luftë – Presidentja t’i tregojë qytetarëve se çfarë konflikti u parandalua
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar se gjatë katër viteve të fundit janë përqendruar vetëm në retorikën e konfliktit me Serbinë, duke lënë pas dore problemet reale të vendit. Sipas Mustafës, diskursi publik i dy liderëve ka qenë i mbështetur kryesisht…

Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar se gjatë katër viteve të fundit janë përqendruar vetëm në retorikën e konfliktit me Serbinë, duke lënë pas dore problemet reale të vendit.
Sipas Mustafës, diskursi publik i dy liderëve ka qenë i mbështetur kryesisht në tema të luftës dhe tensioneve, ndërsa çështje si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve janë anashkaluar.
“Osmani dhe Kurti mbi katër vite çdo javë kanë folur për luftë me Serbinë. Ky ka qenë diskursi i tyre. Nuk ka qenë ekonomia, mirëqenia, zhvillimi i qëndrueshëm, arsimi i mirë, shëndetësia”, tha Mustafa për Gazeta Blic.
Ai paralajmëroi se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë mund të kenë pasoja serioze për stabilitetin në rajon.
“Veprimet kokë më vete, të pakoordinuara me NATO-n dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë, sigurisht se mund të sjellin konflikte. Përndryshe, ku qëndron arsyeja e prezencës ushtarake ndërkombëtare në Kosovë?”, shtoi ai.
Mustafa kërkoi gjithashtu më shumë transparencë nga presidentja Osmani lidhur me deklaratat për kërcënime të supozuara dhe parandalimin e konflikteve të mundshme.
“Në cilësinë e presidentes, Vjosa duhet t’u tregojë qytetarëve se çfarë konflikti është parandaluar së fundmi. Ne nuk mund ta pyesim Presidentin Trump, por mund ta pyesim presidenten e Kosovës dhe çfarë do të ndërmarrë për të parandaluar rreziqet në të ardhmen”, përfundoi Mustafa.