“Populli më pro-amerikan në botë” – Liderët kosovarë urojnë SHBA-në për Ditën e Pavarësisë

Liderët dhe përfaqësuesit partiakë në Kosovë kanë shprehur urimet më të ngrohta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe kontributin e SHBA-së për Kosovën në periudha të ndryshme historike, raporton Gazeta Sinjali. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë kaluar nëpër etapa…

Lajme

04/07/2025 23:17

Liderët dhe përfaqësuesit partiakë në Kosovë kanë shprehur urimet më të ngrohta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe kontributin e SHBA-së për Kosovën në periudha të ndryshme historike, raporton Gazeta Sinjali.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme, por raportet e ngushta mes këtyre dy vendeve janë përforcuar gjatë viteve. SHBA ka qenë një aleat i fuqishëm për Kosovën, duke mbështetur çlirimin e saj përmes ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe më pas me njohjen e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.

Pavarësisht sfidave aktuale, mbështetja amerikane për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetësisë është e pakundërshtueshme.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka përkujtuar këtë datë të rëndësishme për SHBA-në, duke riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një të ardhme më të sigurt dhe të begatë, së bashku me popullin kosovar. “Sot festojmë frymën e patundur të lirisë dhe guximin e themeluesve tanë.

Ne riafirmojmë angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt dhe të fortë, së bashku me miqtë tanë kosovarë,” është shprehur Ambasada.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj, ka theksuar se Kosova është populli më pro-amerikan në botë, duke falënderuar SHBA-në për mbështetje të pakursyer që ka ofruar për Kosovën gjatë periudhave më të vështira. Ajo ka kujtuar se “26 vjet më parë, udhëheqja amerikane na ndihmoi të fitojmë lirinë, dhe çdo kapitull i Republikës së Kosovës mbart vulën e SHBA-së.”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar popullin amerikan duke theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe mbështetjen për Ukrainën dhe refugjatët afganë.

“Zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus dhe strehimi i refugjatëve afganë dhe qytetarëve të vendeve të tjera në territorin e Kosovës, janë vetëm disa nga fushat në të cilat bashkërendimi i prioriteteve tona ka shënuar, dhe vazhdon të shënojë, progres të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë”, ka shkruar Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka cilësuar SHBA-në më shumë se një partner për Kosovën, duke e përshkruar si shtyllën e lirisë së Kosovës dhe një shembull të shkëlqyer të demokracisë.

“Një shtet që na doli krah në ditët më të vështira dhe ishte me ne në ditët më të mira. Për Kosovën dhe popullin tonë, SHBA-ja është më shumë se partner. Është shtylla e lirisë sonë dhe shembulli më i mirë i demokracisë që frymëzon çdo ditë popujt e lirë. Kosova është mirënjohëse. PDK është krenare për këtë miqësi – dhe e vendosur ta thellojë më tej – vit pas viti”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se SHBA-ja është një model frymëzimi dhe mbështetjeje për shumë shtete, përfshirë Kosovën.

“Kjo ngjarje nuk është vetëm lindja e një shteti në kuptimin formal, por lindja e një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-ja është themeluese dhe pishtare e së drejtës universale për të jetuar i lirë secili popull kudo në botë. Kontributi amerikan për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Abdixhiku.

Përfundimisht, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar SHBA-në duke e cilësuar atë si aleate historike dhe mike të pazëvendësueshme për Kosovën.

“Urime Dita e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Një aleate historike, një mike e pazëvendësueshme për Kosovën!”, ka shkruar Haradinaj.