Vuçiqi ndalon eksportin e armëve, thotë se ‘qortimet‘ nga Rusia nuk janë arsyeja
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar të hënën se pret përgjigje të qarta. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se, në përputhje me udhëzimet e presidentit të shtetit, i cili është gjithashtu komandanti suprem i ushtrisë serbe, ndaloi eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Serbi,…

Lajme
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar të hënën se pret përgjigje të qarta.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se, në përputhje me udhëzimet e presidentit të shtetit, i cili është gjithashtu komandanti suprem i ushtrisë serbe, ndaloi eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Serbi, pasi Moska akuzoi të hënën Beogradin për shitje të tërthortë të municionit të artilerisë Ukrainës.
Deklarata e ministrisë serbe erdhi të hënën në mbrëmje, pasi agjencia e inteligjencës së jashtme ruse (SVR) publikoi se dy kompani serbe kishin shitur raketa për hedhës shumëfish të raketave dhe predha për mortaja, ose komponentë për to, të cilat ishin eksportuar në Ukrainë përmes dy kompanive në Çeki dhe Bullgari. Kjo është akuza e dytë e tillë nga SVR, pas së parës që u publikua më 29 maj.
Municioni i prodhuar në fabrikat ushtarake në Serbi, kryesisht për sistemet e rënda me rreze të gjatë veprimi, po dërgohet në vendet e NATO-s në interes të Ukrainës në formën e seteve të plota të pjesëve për montim, thuhet në deklaratën e SVR-së.
“Prodhuesit në Serbi janë të vetëdijshëm për blerësit e vërtetë të produkteve të tyre dhe se raketat dhe predhat e tyre do të vrasin ushtarë rusë dhe banorë të vendbanimeve ruse”, transmetuan mediat ruse dhe serbe deklaratën e SVR-së.
Vuçiqi të hënën, pas takimit me krerët ushtarakë, ka deklaruara se vendi i tij ka ndaluar të gjithë shitjen e armëve, pa e lidhur këtë vendim me deklaratën e shërbimeve ruse të inteligjencës, e dyta brenda një muaji, në të cilën Beogradi akuzohet drejtpërdrejt se industria e tij ushtarake është e vetëdijshme për blerësit e vërtetë të produkteve të saj.
Ministria serbe e mbrojtjes zyrtarisht ka njoftuar ndalimin e eksportit të hënën në mbrëmje.
“Në të ardhmen, për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në fabrikat e industrisë së mbrojtjes, përveç miratimit nga ministritë dhe agjencitë përkatëse, do të kërkohet edhe miratimi i Këshillit për Siguri Kombëtare”, pretendohet në deklaratën e shkurtër të ministrisë, e cila i referohet dispozitave të ligjit në fuqi për eksportin dhe importin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Sipas një deklarate të mëparshme të Vuçiqit, të cilën e transmetuan të hënën mediat ruse, Serbia “nuk shet armë dhe pajisje luftarake, por municion”, dhe se nga kjo punë punonjësit e industrisë ushtarake marrin rrogat e tyre.
“Duhet të kesh armë dhe pajisje për të gjuajtur nga diçka. Ne shesim municion. Nga kjo jetojnë direkt 24.000 njerëz në vendin tonë, pra me familje diku rreth 150.000 veta. Që unë t’i lë 150.000 vetë pa bukë – nuk do ta bëj”, ka thënë Vuçiqi pas mbledhjes me krerët ushtarakë dhe ka theksuar se në të ardhmen gjithë municioni i prodhuar do të shkojë për ushtrinë serbe dhe në rezervat e saj.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar të hënën se Moska pret nga Beogradi përgjigje të qarta lidhur me eksportin e municionit që përfundon në Ukrainë, përcjell Paparaci.
Autoritetet serbe duhet ta thonë të vërtetën lidhur me dërgesat e armëve për Ukrainën, deklaroi Zakharova.
“Kam dëgjuar kaq shumë gjëra kontradiktore në lidhje me këtë nga përfaqësues zyrtarë serbë, sa që dua pak qartësi: a ka ndodhur kjo apo jo”, ka shkruar ajo në rrjetin social Telegram.
“Na është thënë se “kjo është e pamundur”. Por për hir të saktësisë së plotë, është e nevojshme të thuhet e vërteta se sa të besueshme janë këto informacione”, cituan mediat ruse mesazhin e Zakharovës