Kurti: Rënien në indeks ta përmirësojnë mediat

Kreu i LVV-së dhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti ka zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij për të folur për raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova ka pësuar një rënie të madhe në indeksin e lirisë së medias. Ndonëse për këtë Reporterëve pa Kufij një barrë të madhe ia kanë…

Lajme

10/05/2025 13:15

Kreu i LVV-së dhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti ka zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij për të folur për raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova ka pësuar një rënie të madhe në indeksin e lirisë së medias.

Ndonëse për këtë Reporterëve pa Kufij një barrë të madhe ia kanë vënë Qeverisë Kurti dhe partisë së tij, kreu i LVV-së ka thënë se rënien në indeksin e Reporterëve duhet ta përmirësojnë mediat.

Sipas Kurtit, në të gjitha sferat e tjera ka përmirësim, përveç indeksit të lirisë së medias dhe thotë se këtu ekziston një kontradiktë, që duhtë të adresohet nga mediat.

“Për keqardhje rënia në indeksin e Reporterëve pa Kufij. Jam i bindur që në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave. UNDP në raportin e pulsit publik, qytetarët besojnë që liria e shprehjes dhe e medias është rritur për 12 %. Në luftën kundër korrupsionit kemi shënuar ngritje për 31 vende. Jemi ngritur për 11 vende për demokraci liberale dhe elektorale. Rënia e vetme është në indeksin e medias. Kemi një kontradiktë. Këtë kontradiktë duhet ta adresojnë mediat.Ky është indeksi që duhet ta përmirësojnë mediat”, ka thënë Kurti, raporton Express.

“Ajo që Qeveria ka bërë, është që e ka hequr ndikimin dhe përzierjen në punët e medias. Qeveria e VV-së ka hequr politikën dhe pushtetin nga mediat. Para nesh, pushteti dhe mediat ishin se bashku, madje edhe në festa e pushime. S’kemi asnjë pronar mediash në qeveri, për të mos i kontrolluar ato”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka nxjerrë veten plotësisht jo përgjegjës për gjendjen e rënduar të lirisë së medias dhe sipas tij gjendja s’vjen si pasojë e qeverisë por e “kontrollit të pronarëve dhe rënies së profesionalizmit”.

“Në Kosovë mediat janë të lira. Gjendja ku kanë rënë edhe në rënie të besimit në publik, nuk është si pasojë e ndikimit të qeverisë, por e kontrollit të pronarëve dhe rënies së profesionalizmit. Jemi gatshëm të investojmë në përmirësim të cilësisë, por jo në financim. Përgjegjësia është e mediave, ju takon atyre të reforomohen. Që të përmirësohen dhe ta përmirësojnë imazhin e vetes. Sepse është në shpërputhje me realitetin të krahasohesh me gazetarët ne Burnei dhe Serbi”, ka thënë Kurti.