Austria konfirmon ndalimin e hyrjes për Dodikun dhe udhëheqësit e tjerë të Republika Srpska
Austria ka konfirmuar se mbeten në fuqi masat që ndalojnë hyrjen dhe tranzitin nëpër territorin austriak për presidentin e entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, kryetarin e Kuvendit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, si dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq. “Sjelljet e Milorad Dodikut paraqesin kërcënim për stabilitetin, rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës”,…

Lajme
Austria ka konfirmuar se mbeten në fuqi masat që ndalojnë hyrjen dhe tranzitin nëpër territorin austriak për presidentin e entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, kryetarin e Kuvendit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, si dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq.
“Sjelljet e Milorad Dodikut paraqesin kërcënim për stabilitetin, rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Austrisë të datës 30 prill.
Në deklaratë theksohet se Austria, në përputhje me partnerët e saj evropianë, ka ndërmarrë hapa të vendosur ndaj politikanëve përgjegjës të entitetit Republika Srpska.
“Qëllimi është të dërgohet një sinjal politik dhe të jepet siguri për të gjitha forcat pro-evropiane se do t’i mbështesim në mënyrë aktive në përpjekjet e tyre për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës në Bashkimin Evropian. Kjo është posaçërisht e rëndësishme për qytetarët e entitetit Republika Srpska, sepse disa politikanë nuk mund të pengojnë rrugën e tyre drejt një të ardhmeje evropiane”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadës.
Kujtojmë se në fillim të muajit prill, Gjermania dhe Austria vendosën ndalim të hyrjes për tre liderët e Republikës Srpska, pas një takimi në Sarajevë më 3 prill ndërmjet ministres së Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dhe ministres gjermane për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann, me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur pajtueshmëri për vendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut, për shkak të kundërshtimit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Gjermania kishte reaguar më herët ndaj veprimeve antikushtetuese të udhëheqjes së RS, duke pezulluar në prill të vitit 2022 projektet me vlerë prej rreth 105 milionë eurosh, ndërsa në gusht të vitit 2023 është tërhequr plotësisht nga ky entitet.
Ndaj Dodikut, Stevandiqit dhe Vishkoviqit është duke u zhvilluar një hetim për dyshime mbi cenimin e rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës. Për shkak të refuzimit për t’u paraqitur në intervistim, ndaj tyre është lëshuar urdhër-arrest qendror. /REL