Aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vengu: Kosova së fundmi ka qenë e ekspozuar ndaj aktiviteteve terroriste

Të martën, në Tiranë u nënshkrua një aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ky veprim, në shtetin fqinj, Serbi, u interpretua si kërcënim për ta. E nikoqiri i takimit të djeshëm, ku edhe u finalizua marrëveshja, ka thënë se kjo aleancë nuk ka lidhje me pretendimet e pabaza të Serbisë. Në një intervistë për…

Lajme

19/03/2025 23:26

Të martën, në Tiranë u nënshkrua një aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Ky veprim, në shtetin fqinj, Serbi, u interpretua si kërcënim për ta.

E nikoqiri i takimit të djeshëm, ku edhe u finalizua marrëveshja, ka thënë se kjo aleancë nuk ka lidhje me pretendimet e pabaza të Serbisë.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se kjo marrëveshje ka tre komponentë, dhe i fundit ka të bëjë me mbështetjen e Kosovës.

“Komponenti i tretë ka të bëjë me mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe Kroacisë për Kosovën në anëtarësim në BE dhe në NATO. Ishte një element shumë i rëndësishëm që ne e kërkuam me ngulm, dhe kolegët kroatë e përqafuan si qasje dhe kjo marrëveshje u konkludua me sukses”, tha Vengu.

Ai tha se një element thelbësor i kësaj marrëveshjeje është vëmendja që Shqipëria dhe Kroacia të kenë në raport me sigurinë e Kosovës dhe në tërë rajonin.

“Shqipëria dhe Kosova i shohin kërcënimet dhe rreziqet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E kemi të njëjtin lexim për kërcënimet që na vinë nga palët e treta, jashtë NATO-s dhe BE-së. Marrëveshja është një aleancë e natyrshme mes shqiptarëve dhe kroatëve”, u shpreh ministri shqiptar.

I pyetur nëse Kosova kërcënohet ushtarakisht nga Serbia, a do të çojnë Shqipëria dhe Kroacia trupa shtesë, Vengu tha se KFOR-i është forca kryesore e sigurisë në Kosovë.

“Shqipëria e Kroacia kanë qenë vendet që kanë mbështetur rritjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, sikundër që kemi bërë me rritjen e kontingjenteve tona në Bosnje. Garancia e dytë e sigurisë së Kosovës vjen përmes zhbllokimit të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimit të Kosovës në të gjitha platformat rajonale të sigurisë, siç janë Karta e Adriatikut e të tjera që çojnë drejt anëtarësimit në NATO sikundër edhe procesi i negociatave që vlen për pjesën e anëtarësimit në BE”.

“Nuk është kjo një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt në rajon. I kam dëgjuar reagimet, shpeshherë edhe reagimet e mediave të rajonit që e perceptojnë si një kërcënim ndaj Serbisë apo kujtdo tjetër në rajon. Edhe homologu im, ministri Maqedonci, e ka specifikuar dje se nuk jemi një aleancë që ndërtohet kundër dikujt, por aleancë për mbrojtje dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes në mënyrë që këto vende të rrisin kapacitetet e tyre të mbrojtjes duke përfituar nga ekspertiza kroate në disa raste e nga ajo shqiptare në raste tjera, dhe t’i jepen Kosovës të gjitha shanset që të integrohet politikisht dhe ushtarakisht në të gjitha mekanizmat rajonale”, potencoi ministri shqiptar i Mbrojtjes.