Tragjedia në Koçan, 72 pacientë po trajtohen jashtë vendit
Gjithsej 72 pacientë nga zjarri në klubin Puls në Koçan janë duke u trajtuar jashtë vendit, pasi dje janë dërguar edhe 21 pacientë të tjerë. Ndërkaq në Shkup janë në trajtim 98 pacientë. Gjatë ditës së djeshme, sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, pacientët janë shpërndarë nëpër institucionet shëndetësore në mbarë vendin, përkatësisht në Qendrën…

Lajme
Gjithsej 72 pacientë nga zjarri në klubin Puls në Koçan janë duke u trajtuar jashtë vendit, pasi dje janë dërguar edhe 21 pacientë të tjerë. Ndërkaq në Shkup janë në trajtim 98 pacientë.
Gjatë ditës së djeshme, sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, pacientët janë shpërndarë nëpër institucionet shëndetësore në mbarë vendin, përkatësisht në Qendrën Klinike në Shkup – 52 pacientë, në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” – 17 pacientë, në Klinikën Universitare “Shën Naum Ohri” – 12 pacientë, në Klinikën e Toksikologjisë – 10 pacientë, Axhibadem Sistina – 7 pacientë, shkruan Alsat M.
Dje janë transferuar për trajtim jashtë vendit 21 pacientë, përkatësisht në Lituani – 4 pacientë, Austri – 2 pacientë, Slloveni – 2 pacientë, Serbisë – 12 pacientë dhe Bullgari – 1 pacient.
Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.